Humbja e katërt radhazi për Shqipërinë e koshit në prag të eliminatoreve të Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2017 | 14:19

Humbja e katërt radhazi për Shqipërinë e koshit në prag të eliminatoreve të Botërorit

Përfaqësuesja kuqezi në basketbollin e të rriturve ka pësuar një tjetër humbje në turneun miqësor që po zhvillohet në transfertën armene. Pas humbjes përballë skuadrës vendase, skuadra shqiptare u mposht pasditen e djeshme edhe nga kombëtarja kazakistanase me rezultatin e përgjithshëm 86-69.

armeni shqiperi basketboll

Megjithëse një pjesë të parë të rivalizuar fort, e mbyllur në ekulibër 44-44, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Antonis Konstantinides, janë dorëzuar në pjesën e dytë të miqësores duke e çuar në katër, serinë e humbjeve në ndeshjet në prag të sfidave eliminatore për Kupën e Botës që do të startojnë në 2 gusht me përballjen ndaj Austrisë, e cila do të luhet në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova”, në Parkun Olimpik. Në eliminatoret e Kupës së Botës, Shqipëria ndodhet në grupin B bashkë me Holandën e Austrinë.

kombetarja basketboll

Së fundi, basketbollisti nga Kosova, pejani Beqë Kovaçi, i është bashkuar Shqipërisë, për të ndihmuar këta të fundit, në ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin Botëror “Kina 2019”. Në një prononcim për “KTV”, zbulon arsyet se përse vendosi t’i bashkohet kuqezinjve, ndonëse ishte i ftuar nga përfaqësuesja e Kosovës. “Në kohën kur ata më kërkuan, nuk kam patur mundësi të plotë- soj të gjithë dokumentacionin. Më pas u përcaktua lista dhe unë vendosa të vij në Shqipëri.”

Ai shprehet se nuk ka asnjë peng për zgjedhjen që ka bërë. “Ndihem shumë mirë, të gjithë lojtarët më kanë pritur shumë mirë. Ndoshta e kam paksa të vështirë të rimarr veten, por besoj se në vazhdim ka për të qenë më mirë”. Kovaçi debutoi si kuqezi në miqësoren ndaj Kosovës dhe shtoi se i ka sjellë emocione të veçanta ky takim. “Krejt lojtarët i njoh, i kam shokë. Ndjesi pozitive në miqësoren e përbashkët.”

Në fakt Kovaçi nuk është i vetmi nga Kosova që i është bashkuar Shqipërisë. Pjesë e eliminatoreve është edhe trajneri Albert Sulejmani.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"