Humbi penallti në disfatën e thellë me Bylisin, flet mesfushori i Turbinës: Për çudi e çova topin jashtë
Turbina u largua duarbosh nga Ballshi dhe më shumë se humbja rëndojnë golat e pësuar. Zhgënjimi është i madh, megjithatë “shërimi” i vetëm do të ishte kthesa. Të lehtë nuk do ta kenë, pasi edhe këtë javë luajnë në transfertë.
Mesfushori Mikel Brahilika beson te reagimi, ndërsa nuk ngurron që të kërkojë falje për penalltinë që shpërdori në “Adush Muça”.
“Ishte një takim shumë i fortë dhe e dinim. Pësuam gol në fillim dhe më pas reaguam, duke fituar një penallti. Nga pika e bardhë kam goditur unë, duke e nxjerrë si për çudi topin jashtë. Jam shumë i mërzitur dhe për këtë jam fajtor.
Do barazonim takimin dhe loja mund të merrte rrjedhë tjetër. U kërkoj shumë ndjesë shokëve dhe trajnerit, pasi duhet të shënoja dhe të mbaja në lojë skuadrën. Tani të mbledhim forcat për transfertën me Erzenin dhe shpresojmë që të marrim pikë”, u shpreh mesfushori për gazetën.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL
