Humbi ndeshjen e jetës në “Camp Nou”, Uzuni rrezikon duelin e parë me Ronaldon. Ja rregulli absurd në Hungari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 23:55

Humbi ndeshjen e jetës në “Camp Nou”, Uzuni rrezikon duelin e parë me Ronaldon. Ja rregulli absurd në Hungari

Myrto Uzuni është i fiksuar pas Kristiano Ronaldos, aq sa “zgjodhi” të infektohej me Koronavirus në të njëjtën kohë me yllin portugez. Mëkat i madh për sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Sigurisht që këtë herë nuk do të donte të ishte si idhulli i tij sepse do të humbasë ndeshjen e ëndrrave, debutimin në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës. Nuk mund të ishte më e vështirë sesa kaq aventura e tij për të prekur Ligën e Kampionëve.

Mesi-Uzuni-Ronaldo

Mes sprovave dhe problemeve në fëmijëri dhe një jete me ëndrra, “COVID-19” i pengon përballjen me Leo Mesin në “Camp Nou”. Mediat ngrenë dyshimet se sulmuesi kuqezi është i prekur nga “COVID-19”, por “Panorama Sport” kërkoi të kontaktonte me vetë Uzunin, i cili këtë herë nuk u përgjigj duke e lënë gjithçka misterioze. Edhe babai i tij u tentua disa herë, por gazeta nuk mori përgjigje. Një profil në “Twitter”, i cili menaxhohet nga një tifoz i skuadrës së Ferencvaroshit shkruan se Uzuni është i prekur me “COVID-19”, por ekipi nuk e ka konfirmuar diçka të tillë.

UZUNI

12 DITË MISTER- Uzuni nuk shfaqet në asnjë listë apo në asnjë ndeshje që prej 8 tetorit, kur nga FSHF-ja u njoftua se ai nuk do të ishte i gatshëm për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kazakistanit dhe Lituanisë. Uzuni ishte projektuar titullar nga forma e mirë që po kalonte me ekipin hungarez, por një dëmtim i pengoi aktivizimin.

Që nga ajo ditë, nuk ka asnjë informacion për Uzunin. Ai nuk u grumbullua dhe nuk luajti në ndeshjen e fundjavës me skuadrën e Ferencvaroshit duke shtuar misterin e këtyre ditëve. Mendohet se ai është i prekur me “COVID” gjatë ditëve të fundit dhe ka mësuar lajmin se është pozitiv dhe po qëndron në izolim. Për fatin e mirë ai nuk ka simptoma dhe shqetësime në aspektin shëndetësor.

uzuni-1-537x354

PROTOKOLLI- Por duket se gjithçka do të bëhet më e vështirë për Murto Uzunin, i cili duhet të qëndrojë në izolim për 1 muaj edhe nëse tamponi i tij rezulton negativ. Kjo do të thotë se do të humbasë tri ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve. Rregullat në Hungari sigurisht që e tërbojnë shqiptarin, por duhet ta pranojë. Talenti beratas rrezikon kështu të humbasë duelin e parë ndaj Kristiano Ronaldos më datën 4 nëntor, në sfidën që do të luhet në Hungari. Shpresohet që Uzuni të rikthehet më 24 nëntor në sfidën e kthimit që do të zhvillohet në Torino.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"