Humbi avionin, Kukësi gjobit rëndë Sebino Plakun. Rrezikohet gjyqi, ja prapaskenat e udhëtimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 17:50

Humbi avionin, Kukësi gjobit rëndë Sebino Plakun. Rrezikohet gjyqi, ja prapaskenat e udhëtimit

Kukësi dhe Sebino Plaku janë të destin uar për t’u “divorcuar”. Afrimi me bujë në qershor i sulmuesit duket se është venitur me kalimin e kohës. Me ardhjen e trajnerit Armando Cungu, Plaku ka humbur edhe vendin e titullarit.

Gjërat nisën të kriseshin që pas ndeshjes së humbur në Azerbajxhan ndaj Karabakut, me shifrat 3-0. Trysnia mbi Plakun ka qenë e madhe, nisur edhe nga fakti që drejtuesit e klubit presin shumë prej tij. Mirëpo, çështja tashmë është ndërlikuar edhe më tej për shkak të një gjobe të vendosur nga klubi për lojtarin. “Panorama Sport” mëson se shkak është bërë një vonesë e Plakut në udhëtimin që skuadra bëri në kthim pas ndeshjes KarabakKukësi.

gjici plaku kukesi

UDHËTIMI – Ekipi verilindor e pati avionin në kthim nga Baku në orën 20:05, por Plaku, për shkak të një vonese, e humbi atë. Pas një lodhjeje të tejskajshme, skuadra atë ditë kaloi natën tranzit në aeroportin e Stambollit dhe vetëm në mëngjesin e datës 3 gusht mbërriti në Tiranë. Ndërsa Plaku, duke qenë se humbi avionin, mbërriti në kryeqytet me një tjetër linjë, plot 6 orë më vonë se pjesa tjetër e ekipit. Fillimisht lojtari nuk arriti në kohë autobusin që dërgoi skuadrën nga hoteli në aeroportin e Bakusë, e më pas humbi edhe avionin.

Kjo vonesë “xhindosi” drejtuesit e klubit, të cilët dje kanë dalë me një vendim, duke gjobitur me 4 mijë euro Plakun për thyerje të orareve dhe disiplinës. Kjo gjobë është e barasvlershme me rrogën mujore të lojtarit, në një kohë që ky i fundit nuk ka as 60 ditë pjesë e ekipit. Një masë e rëndë financiare për një neglizhencë apo pakujdesi oraresh. Gazeta ka pyetur drejtues të klubit për këtë çështje, teksa përgjigjja ka qenë se “nuk tolerohet askush që s’respekton oraret”.

Ndërsa vetë futbollisti i kontaktuar nga “Panorama Sport” thotë se me këtë çështje do të merret avokati i tij. “Këtë çështje do ta ndjekë avokati im. Për momentin kaq mund t’ju them”, konfirmoi sulmuesi. Sipas të gjitha gjasave, menjëherë pas përfundimit të angazhimit në Europë, Plaku do të largohet nga Kukësi dhe do të rikthehet te Kamza. Sulmuesi nuk është përshtatur te verilindorët dhe tashmë gjërat mund të shkojnë edhe në gjyq pas gjobës që klubi i ka vendosur pasi humbi avionin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"