Humbën me Tërbunin, kapiteni i Besëlidhjes: Nuk e meritonim, në Berat na kënaq dhe një ‘X’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 21:18

Humbën me Tërbunin, kapiteni i Besëlidhjes: Nuk e meritonim, në Berat na kënaq dhe një ‘X’

Besëlidhja vijon të stërvitet në kuadër të javës së 12-të të kampionatit. Lezhjanët do të udhëtojnë në Berat, për të matur forcat me Tomorin. Humbja me Tërbunin ka kthyer stresin dhe dhimbjen e kokës, ndaj stafi teknik e lojtarët po i bëjnë mirë llogaritë para kësaj transferte.

Patrik Fetaj

Kapiteni Patrik Fetaj, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, thotë:

“Marshimi ynë drejt zonës së sigurisë pas 4 javësh sukses u ndal të dielën. Pësuam një humbje të thellë e të paimagjinueshme me Tërbunin. Nuk e meritonim, por ndodhi. Tani na duhet të bëjmë autokritikë. Në radhë kemi Tomorin dhe është një transfertë mjaft e vështirë. Por, nëse japim maksimumin, nuk është e pakapërcyeshme. Duke qenë se struktura dhe rregullorja e sivjetme e Kategorisë së Parë e bën shumë të vështirë si ngjitjen dhe pak më tepër mbijetesën, kjo kërkon vlerësim maksimal të të gjitha ndeshjeve.

Një ndalesë apo një fitore më shumë të zbret apo ngjit disa shkallë. Në këto 4 javë të mbetura të 2021-shit, ne duhet të grumbullojmë pikë për të qenë jashtë zonës së rrezikut dhe, pse jo, të kapim mesin e artë. Kam shumë besim tek ekipi se nga Berati nuk do të kthehemi pa pikë. Edhe një ‘X’ do të na kënaqte”, përfundoi mbrojtësi 23-vjeçar.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"