Humbën 3-0 në Burrel, presidenti i Besëlidhjes gjen shkakun: Lojtarët e kishin mendjen te… “Big Brother”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2022 | 14:32

Humbën 3-0 në Burrel, presidenti i Besëlidhjes gjen shkakun: Lojtarët e kishin mendjen te… “Big Brother”

Gjok Noka gjen shkakun e humbjes në Burrel. Besëlidhja pësoi tre gola në “Liri Ballabani” dhe sipas presidentit, fajin e kishte finalja e… “Big Borther VIP”.

Noka

Numri një i klubit nuk është kursyer në analizë, duke kritikuar ashpër të tijtë. Kjo ka qenë madje analiza më e ashpër që është zhvilluar ndonjëherë pas një disfate.

Hapur u ka kërkuar që të reflektojnë sa janë në kohë, ndryshe do të bien nga kategoria. Edhe në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, nuk u përmbajt ndaj lojtarëve.

Ai pohon se ekipi nuk ishte kurrkund dhe në fushë pa vetëm futbollistët që shëtitën fanellën dhe logon.

SHKAKU

Kreu i lezhjanëve është i shqetësuar për luhatjet e vazhdueshme dhe shpërfytyrimit që pësuan ndaj matjanëve, ia gjen arsyen. “Fazën e dytë e nisëm deri diku mirë. Morëm 6 pikë në katër ndeshje.

Kjo mjaftoi për të dalë nga ujërat e turbullta, ku kishim rënë për disa javë. Ngritja e ekipit në mënyrë progresive na ngrohu, por gjithçka u rrëzua në Burrel. Ishte një ndeshje që ekipi nuk e ka zhvilluar kurrë.

Në këtë përballje, skuadra u shpërfytyrua që në nisje. Në fushën e ‘Liri Ballabanit’ nuk ishte Besëlidhja, por vetëm fanellat me logon e saj sa për identifikim.

Që të premten futbollistët nuk e kanë pasur fare mendjen te transferta që kishin me matjanët, por te finalja e ‘Big Brother VIP’. Jam i sigurt që kjo ka ndikuar fuqishëm në atë humbje”, tha fillimisht Noka.

REFLEKTIMI

Presidenti nuk dorëzohet ama dhe pret që kthesa të vijë me Lushnjën, që e presin në shtëpi.

“Kam besim se pas kritikave që morën, futbollistët dhe stafi në këtë analizë, do të reflektojnë në ndeshjen e radhës për t’u rikthyer te fitorja.

Duke parë pikët që kemi në lojë dhe diferencat mes ekipeve pas dhe para nesh, vendi që mbajmë momentalisht në tabelë mes rënies dhe mbijetesës nuk është fundi i botës.

Mbijetesa e Besëlidhjes është vetëm një ngushëllim për ne, pasi objektivi real do të ishte ngjitja në Superiore”, përfundoi numri një i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"