“Humbëm shans për histori”, kapiteni Ignjatoviç: Laçi është për titull me këtë grup

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 18:13

“Humbëm shans për histori”, kapiteni Ignjatoviç: Laçi është për titull me këtë grup

“Humbëm një shans për të bërë historinë, nuk patëm fat”. Kështu e konsideron kapiteni i Laçit, Aleksandër Ignjatoviç, eliminimin nga Liga e Europës në minutat shtesë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni i skuadrës kurbinase pohon se po të kishin vazhduar me 11 lojtarë deri në fund, do të fitonin.

ignjatovic laci

Sipas tij, ajo që i ndodhi Laçit, e kanë provuar edhe skuadra të mëdha. Për Ignajtoviç goli i barazimit ishte fatal, pasi edhe po të shkonte në shtesë kurbinasit do ta kishin të vështirë, meqë ishin me një lojtar më pak dhe kishin shpenzuar shumë energji.

Nga mënyra si erdhi humbja, të gjithë janë prekur, por moralisht ndihen fitimtarë dhe nga jo që ndodhi me Hapoel duhet të nxjerrin mësime për vazhdimësinë. Ai ka bindje se po u ruajt grupi, Laçi është pretendent për titullin kampion.

Si ishte ndeshja ndaj Hapoel Ber Shevas?

Ishte një ndeshje e fortë. Në aspektin fizik sidomos që nga minuta e parë. Në një ndeshje të madhe nuk mund ta humbësh fokusin për asnjë minutë, deri në vërshëllimën finale të arbitrit, nëse kërkon që të fitosh. Kishim shanse të mëdha që t’ia dilnim me fitore dhe kualifikim, por nuk patëm fat. Humbëm një shans për të bërë historinë.

Çfarë menduat pasi Nuabueze shënoi?

Kishim gjithçka nën kontroll. Edhe pse ata kishin më tepër zotërim topi sesa ne. Në rast se do të kishim qenë me 11 lojtarë deri në fund, me siguri që do të kishim fituar. Mbase, do të kishim shënuar një gol të dytë, duke përfituar nga interesi i kundërshtarit për të sulmuar më tepër. Në ato momente këto kisha në mendje. Po mendoja pozitivisht dhe kisha besim e dëshirën e madhe për të fituar.

Çfarë ndodhi në ato minuta të fundit?

Futbolli i ka edhe këto. Mund të them se diçka e tillë u ndodh edhe ekipeve të mëdha. Gjithashtu, ne duhet të nxjerrim mësime nga ajo që ndodhi dhe të vazhdojmë përpara.

Jeni një qendërmbrojtës me përvojë, çfarë mendoni tani pas ndeshjes kur i shihni golat që pësuat?

Goli i dytë nuk ishte shumë i rëndësishëm, pasi edhe në rast barazimi dhe shtese, ne ishim me dhjetë lojtarë dhe me siguri që nuk do ta mbanim dot dhe do të mundeshim. Goli i parë i pësuar është shumë herë më i rëndësishëm.

Pikërisht, çfarë ndodhi në atë moment?

Kemi pësuar një gol nga hiçi. Ishte një krosim dhe topi shkoi te lojtari i Ber Shevas, që e gjeti veten në një pozicion fantastik. Sidoqoftë, gjëra që ndodhin në futboll. Ne kemi dhënë të gjithë maksimumin dhe ishim shumë të mërzitur në fund të ndeshjes. Sidoqoftë, sipas meje, ne jemi fitimtarë dhe do të rikthehemi të fortë në vazhdim. Jam i sigurt.

Për çfarë ju vjen keq më së shumti?

Për faktin që humbëm një shans për të bërë historinë. Gjithashtu për faktin që humbëm një shans për të gjithë ne, por sidomos për lojtarët e rinj që të testonin veten në një tjetër fazë, ku kundërshtari do të ishte edhe më i madh dhe më i rëndësishëm sesa Ber Sheva.

Me çfarë tregoi Laçi në këto ndeshje të Europës, si prisni të shfaqet këtë sezon në Superiore?

Nëse do të qëndrojmë të gjithë si skuadër siç jemi, mund të luftojmë për titullin. Mirëpo, pas këtyre ndeshjeve, mendoj se klubi do të ketë oferta për disa nga lojtarët tanë. Ndaj, le të shohim fillimisht se çfarë do të ndodhë.

Po e ardhmja juaj?

Unë kam kontratë me Laçin edhe për këtë sezon. Jam i fokusuar në kampionat për të bërë më të mirën. Më pas do të shohim se cili do të jetë opsioni më i mirë për të zgjedhur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"