“Humbas ndeshjet, por jo dhomat e zhveshjes”, Shehi: Kemi dy mungesa të mëdha, Tirana gabon rëndë nëse…
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave, në prag të ndeshjes me Apoloninë e cila do të zhvillohet ditën e nesërme, duke filluar nga ora 16:00. Në prag të kësaj sfide, Shehi është shprehur se në ekip është një atmosferë e mirë, duke shtuar më tej se nuk do të nënvlerësohet Apolonia, pavarësisht pozitave në renditje.
“Kampionati u ndërpre në momentin më të mi9rë për në. Kemi pasur disa lojtarë në ekipet kombëtare, vetëm ditët e fundit kemi qenë të gjithë bashkë. Është një pauzë që na ka shërbyer për të rikuperuar energjitë dhe zhvilluam një ndeshje miqësore për t’i dhënë minuta lojtarëve që nuk kanë qenë në formacion në ndeshjet e fundit. Nuk ka ndeshje të lehta sepse bëhen të vështira në fushë.
Apolonia? Është një kundërshtar që pavarësisht pozicionit në renditje, meriton vlerësim. Do gabonim rëndë nëse e marrim si ndeshje të lehtë. Skuadra në drejtimin tim ka bërë mirë, kam parë djem që luftojnë për objektivat që kemi. Këto javë janë pak për të implementuar idetë e çdo trajneri, por jam i kënaqur për atë që kanë dhënë në fushë dhe si po i interpretojnë ndeshjet. Jemi të detyruar të bëjmë ndryshime sepse na mungojnë dy lojtarë kryesorë, Vangjeli dhe Hoxhallari, për shkak të kartonëve. Kam besim se lojtarët në vend të tyre, do e justifikojnë dhe do japin më të mirën e tyre.
Në ekip ka qenë një atmosferë shumë e mirë. Edhe kur nuk kemi fituar, atmosfera nuk ka munguar. Unë e kam thënë, mund të humbas ndeshjet, por jo dhomat e zhveshjes. Atmosfera e mirë na ndihmon për t’u shprehur mirë në ndeshje.”, tha Shehi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"