Hrkaç: Nuk përqendrohemi ndaj nuk fitojmë, kthehemi ndaj Luftëtarit nëse japim 150%

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2017 | 18:35

Hrkaç: Nuk përqendrohemi ndaj nuk fitojmë, kthehemi ndaj Luftëtarit nëse japim 150%

Barazimi me Laçin në “Niko Dovana” nuk është përjetuar mirë në Durrës. Zhgënjimi ishte i dukshëm në fytyrat e futbollistëve, por edhe të stafit teknik pas përfundimit të takimit. Durrsakët prodhojnë lojë dhe, për më tepër, kalojnë thuajse gjithnjë të parët në avantazh, por nuk administrojnë dot rezultatin.

hrkac bushic

Qendërmbrojtësi Ante Hrkaç në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” flet për ecurinë negative në fazën e parë, problemet në mbrojte, si dhe zbulon “recetën” se si Teuta mund të rikthehet te sukseset.

Shënoni gjithnjë të parët, por më pas e pësoni. Çfarë po ndodh me Teutën?

Gjithmonë është kështu, ne shënojmë gol, por nuk fitojmë. Nuk e kuptoj përse na ndodh kështu?! Ndoshta është çështja e përqendrimit, ose problem psikologjik. Në pesë minutat e fundit kishim një mundësi për të shënuar, por nuk e shfrytëzuam rastin. Dhe, në fund, morëm vetëm një pikë nga java e fundit e fazës së parë.

Situata është e papranueshme për drejtuesit. E keni menduar si mund të ktheheni te fitorja?

Askush nuk mund të na ndihmojë, jemi ne lojtarët që mund ta bëjmë diferencën dhe ta nxjerrim ekipin nga kjo situatë e ndërlikuar. Duhet të japim jo 100%, por 150% për të marrë fitoren. Ndeshjen tjetër me Luftëtarin duhet të fitojmë, pasi kemi 7 ndeshje që nuk kemi fituar dhe duhet të reagojmë.

Teuta pëson shumë. Golat e pësuar janë problemi i mbrojtjes apo i gjithë ekipi ka përgjegjësi?

Të gjithë fitojmë, të gjithë humbasim, ky është rregulli i pashkruar në futboll. Ne jemi një grup i bashkuar dhe sukseset apo dështimet janë kolektive. Ne kemi kualitet në ekip dhe nuk e kuptoj përse po na ndodh kështu, është një situatë të cilën nuk di si ta shpjegoj, ndoshta çështje psikologjike ose vetëbesimi.

Jeni një ndër ekipet që krijon më shumë volum loje, por ato që kanë më tepër rëndësi janë pikët. Mos duhet të jeni më tepër pragmatist?

Edhe pse nuk kemi marrë rezultatet të mira zhvillojmë futboll të bukur dhe kjo tregon se kemi bërë gjëra të mira. Tani është momenti të ngrihemi lart në klasifikim. Unë besoj se ne do të fitojmë dhe do të ngrihemi, pasi i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë dhe do ta tregojmë në ndeshjen e radhës. Nuk na lejohet më të gabojmë.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"