Hrkaç: Në Kamëz lamë dy pikë për fajin tim, më pengoi dielli dhe shkaktova penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 13:14

Hrkaç: Në Kamëz lamë dy pikë për fajin tim, më pengoi dielli dhe shkaktova penallti

Mbrojtësi i Teutës, Ante Hrkaç, merr guximin dhe pranon “fajin” që skuadra e tij humbi dy pikë në përballjen e fundit në kampionat me Kamzën. Gjatë një bisede për “Panorama Sport”, mbrojtësi deklaron se penalltia ndaj Kamzës ishte aksidentale, pasi, i penguar nga rrezet e diellit, nuk e ka parë topin, që për fatin e tij të keq dhe të Teutës u përplas në dorën e ngritur lart të Hrkaç.

hrkac bushic

“Dua të marr përsipër përgjegjësitë për dy pikët që lamë në Kamzë. Isha unë fajtori. Për shkakun tim u barazua ndeshja. Ishte një top i prekur me dorë, në mënyrë krejtësisht të pavullnetshme. Nuk kisha fushëpamje të mirë, pasi dielli me pengonte. Ndërkohë, u shtyva pak nga kundërshtari dhe për pasojë topi u përplas në dorën time të ngritur lart. Unë jam përgjegjës i humbjes së dy pikëve.

Ajo që më bën përshtypje është fakti se shokët e skuadrës, stafi teknik dhe ai drejtues nuk ma faturuan mua atë barazim. Kjo më bën të ndihem mirë në këtë skuadër, që përbëhet nga njerëz me vlera dhe që e njohin futbollin. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, do ta shpërblej këtë mirënjohje”, u shpreh fillimisht mbrojtësi.

Duke vijuar më tej, kroati u shpreh se skuadra e Teutës do të rikthehet te fitorja duke nisur nga sfida e radhës. “Ne po përgatitemi për ndeshjen e radhës. Jemi koshient se kush është Partizani, pavarësisht se nuk e ka nisur mirë kampionatin. Duhet ta marrim me seriozitet në maksimum këtë përballje dhe të rikthehemi te fitorja. Në skuadër mbizotëron një atmosferë pozitive. Të gjithë kemi besim se do të zhvillojmë një ndeshje të mirë me Partizanin, por mbi të gjitha janë shumë të rëndësishme tri pikët dhe rikthimi te suksesi.

Duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë në shtëpinë tonë dhe para tifozërisë që është lojtari i 12-të për ne. Është një kampionat shumë i fortë këtu në Shqipëri. Ka skuadra shumë të forta dhe luhet një futboll i ashpër. Por ne kemi objektivin tonë, që është pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe besojmë fort se në fund të sezonit do ta kemi prerë biletën”, përfundoi kroati i Teutës.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"