Hrkaç mund Teutën, durrsakët presin FIFA-n

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 17:17

Hrkaç mund Teutën, durrsakët presin FIFA-n

Teuta sot pasdite do të rikthehet në fushë për të filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Kamzës. Barazimi i arritur në Tiranë ka lënë një shije pozitive te bregdetarët, por tani fitorja është opsioni i vetëm. Në sezonin e fundit, përballjet me kamzalinjtë kanë qenë tepër të luftuara, megjithatë në shtëpi, “djemtë e detit” nuk mendojnë asnjë rezultat tjetër përveç tre pikëve. Në katër ndeshjet e fundit mes tyre në Superiore, bregdetarët regjistruan një fitore, dy barazime dhe një humbje.

teuta

Sekou Kamara është shqetësimi i vetëm për stafin teknik, pas dëmtimit që ky i fundit pësoi në kryeqytet. Gjithsesi, lajmi i mirë për trajnerin Bledi Shkëmbi është, që ai mund të llogarisë shërbimet e mesfushorit Sherif Kallaku, i cili prej disa ditësh po punon me grupin dhe duket në një gjendje të mirë.

teuta

Në rast se Kamara nuk arrin të riaftësohet, trajneri korçar mund të aktivizojë në krahun e djathtë të sulmit mesfushori e ri të talentuar Lorenco Vila, i cili në ndeshjen e parë e nisi nga stoli. Përveç tij trajneri ka edhe opsione të tjera si Unedi Vecaj, i cili zëvendësoi afrikanin kur u dëmtua apo edhe Ardit Deliu.

Gjyqi me Hrkaç – Ish-mbrojtësi Ante Hrkaç, në sezonin e ri do të jetë pjesë e Al-Qaisumah dhe do të luajë në kampionatin arab, edhe pse ishte nën kontratë me Teutën. “Panorama Sport” mëson se ai ka fituar të drejtën të federohet me AlQaisumah.

Hrkac-750x430 (1)

26-vjeçari “braktisi” Teutën me motivin se kishte disa probleme familjare dhe nuk u bashkua me klubin gjatë fazës përgatitore edhe pse ishte nën kontratë dhe në Durrës e prisnin të vihej nën urdhrat e stafit teknik. Gjatë kësaj periudhe, ai arriti marrëveshjen me Al-Qaisumah për ta vazhduar karrierën në Arabi, por kontrata që ai firmosi me klubin arab ishte kundër rregullave për shkak se në sistemin TMS figuronte si një lojtar i regjistruar te Teuta.

Klubi bregdetar e paditi në FIFA boshnjakun, megjithatë, ai duket se ka fituar të drejtën të federohet në mënyrë provizore me ekipin e AlQaisumah në Arabinë Saudite. Gjithsesi, klubi bregdetar nuk do të ndalet këtu, ndërsa pret një përgjigje nga FIFA.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"