Hoxhallari: Do ta falja eurogolin për tri pikët ndaj Skënderbeut (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2017 | 11:45

Hoxhallari: Do ta falja eurogolin për tri pikët ndaj Skënderbeut (VIDEO)

Erion Hoxhallari tregoi cilësi që pakkush i ka shfaqur deri në këtë fazë të karrierës së tij, ndonëse ekzekutim të tillë të goditjes së dënimit ai e bën shpesh gjatë seancave stërvitore. Mbrojtësi i majtë i bardhebluve, në deklaratën e dhënë për mediat pas barazimit 2-2 ndaj Skënderbeut, ka treguar besimin që kishte për të shënuar në atë goditje standarde, ndërkohë që nuk mund të mos kishte edhe një dedikim special për të

Hoxhallari gol Skenderbeut

“Për mënyrën se si shkoi loja, besoj se barazimi ishte i drejtë. Kaluam dy herë në avantazh dhe normalisht që donim të dilnim me tri pikë, por fakti që luajtëm mirë përballë gjashtë herë kampionëve, them që është diçka pozitive”, është shprehur fillimisht mbrojtësi i cili më tej tha se ka besim që loja e bukur do të përkthehet shpejt edhe në një rezultat pozitiv, fitoren.

“Kemi pasur disa luhatje në ndeshjet e shkuara. Shpresoj që të ruajmë ritmin dhe të vijojmë me rezultate pozitive, dhe të mos e ulim ritmin në takime të caktuara. Goli? Kisha besim shumë të madh që do të shënoja. Edhe Taku kishte po a besim, por i kërkova që ta godisja unë dhe nga stoli po sugjeronin që të isha unë që do ta ekzekutoja atë goditje dënimi. Unë e kam tentuar çdo ditë edhe në stërvitje dhe shpesh e praktikoj ekzekutimin e goditjeve të dënimit”, ka deklaruar mbrojtësi.

Prej pak kohësh ai nuk është më në kontingjentin e lojtarëve të Kombëtares Shpresa, por ka deklaruar se e mirëpret një ftesë edhe nga skuadra A, nëse stafi do ta vlerë- sojë se e meriton.

“Atë e di trajneri dhe stafi. Unë shpresoj që të arrij Kombëtaren e madhe në një kohë të shkurtër, por detyra ime është të përgatitem dhe të bëj mirë, kaq. Me lojtarët e Shpresave kam kontakte. Me Çekiçin dhe disa të tjerë, kam ende komunikim”, është shprehur mbrojtësi.

Sa i takon mungesës së tri pikëve në ndeshjet e zhvilluara deri në këtë moment të fazës së tretë, Hoxhallari pret që diçka e tillë të ndodhë në Gjirokastër. “Shpresoj që të jetë në Gjirokastër fitorja e parë. Do të vazhdojmë që të luftojmë si sot dhe kam besim se fitorja do të vijë. Dedikim? Ia dedikoj familjes sime, Zotit dhe të dashurës”, vijoi mbrojtësi, i cili i pyetur nëse do ta ndërronte atë eurogol për tri pikët është përgjigjur: “Po, nëse do të na sillte tri pikët, do ta dhuroja golin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"