Hoxhaj flet si lab: Flamurtarit i duhen më shumë vlonjatë në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2017 | 9:33

Hoxhaj flet si lab: Flamurtarit i duhen më shumë vlonjatë në ekip

Ardit Hoxhaj flet si “lab”. Sulmuesi vlonjat i Flamurtarit thotë se objektivi kryesor mbetet respektimi i fanellës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi premton maksimum, ndërsa nuk fsheh dëshirën për më shumë vlonjatë në ekip, edhe pse thotë se të gjithë lojtarët që janë aktualisht te Flamurtari, ndihen vlonjatë.

Hoxhaj

HOXHAJ

“Ecuria e ekipit mendoj se ka qenë e mirë, si në ndeshjen me Skënderbeun, edhe në sfidën me Lushnjën. Çdo ditë që kalon ky ekip përmirësohet më shumë. Dihet që ne jemi një ekip i ri, pasi Flamurtari është formatuar nga e para këtë sezon dhe në këto kushte na duhet që të japim maksimumin. Në sfidën me Teutën, personalisht unë kam bindjen se do ta fitojmë.

Natyrisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por kemi të gjitha mundësitë për të marrë tri pikë në këtë ndeshje. Ambienti këtu në Vlorë është shumë i mirë. Në klub ka korrektësi nga të gjitha drejtimet. Po ashtu, dua të theksoj se mbizotëron harmonia në grup dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme”, u shpreh fillimisht Hoxhaj në prononcimin e tij për gazetën.

Më pas, sulmuesi ka shprehur mendimin e tij se në ekip do të ishte më mirë që të kishte më shumë vlonjatë. “Për mua, çdo lojtar që respekton fanellën, është vlonjat, pavarësisht se do më pëlqente të kishim më shumë lojtarë nga Vlora. Kemi një grup shumë cilësor, që mendoj se do bëjë mjaft mirë në këtë kampionat. Konkurrenca i bën mirë ekipit.

ardit hoxhaj

Për t’u rritur, të gjithë duam të luajmë dhe stërvitemi maksimalisht çdo ditë. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje. Unë mendoj se do të ketë minuta për të gjithë”, tha Hoxhaj. Ndërsa, në lidhje me objektivat që ka ekipi për sezonin e ardhshëm, sulmuesi shprehet: “Objektivi që edhe presidenti e ka përmendur më shumë herë është respektimi i fanellës së Flamurtarit. Patjetër, që objektiv për ne janë dhe Kupat e Europës”, përfundoi Hoxhaj prononcimin e tij për gazetën.

VELIU

Franc Veliu rikthehet në stërvitje. Pas dëmtimit të gjatë që e la pa u përgatitur, mbrojtësi vlonjat është kthyer tashmë në stërvitje. Por vlonjati po bën ndeshje të diferencuar, ndërsa ende nuk dihet se kur do të jetë në fushën e lojës. Po ashtu, i është bashkuar stërvitjes edhe Xhufo, i cili dëmtoi kaviljen në ndeshjen me Skënderbeun. Sot pritet që të shikohet më shumë gjendja e tij, për të përcaktuar më saktë se sa do të mungojë. Veliu dhe Xhufo janë mungesa të sigurta në ndeshjen me Teutën, po ashtu edhe Bicaj nga kartonët.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"