Hoxha: Teuta u rikthye, por ja çfarë na duhet për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 14:04

Hoxha: Teuta u rikthye, por ja çfarë na duhet për titullin

Fitorja ndaj Flamurtarit e ka çliruar Teutën, megjithatë vend për qetësi nuk ka. Tashmë ka ardhur koha për vazhdimësi dhe këtë mesazh të qartë e jep mbrojtësi Rustem Hoxha. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi skanon ekipin dhe tregon si ishte të luaje një ndeshje në dy ditë. 

rustem hoxha teuta

Rustem, si ishte të luanit të njëjtën ndeshje në dy ditë? Ishte e vështirë, por edhe e ndërlikuar. Situatë e sikletshme për trajnerët dhe lojtarët. Nga njëra anë ke avantazhin që lojtarët i ke të freskët, mund të bësh edhe ndonjë korrigjim që mendon se ia vlen, por nga ana tjetër është çështje psikologjike. Gjithsesi, e rëndësishme është që ekipi ruajti gjakftohtësinë dhe kthjelltësinë. Arritëm të merrnim tri pikë me vlera për vazhdimësinë.

Çfarë ju tha trajneri para se të niste raundi i dytë me Flamurtarin? 

Asgjë speciale. Thjesht: “Luani mirë dhe sipas porosive që u kam lënë”.

Ishin këto dy ndeshjet e fundit një pikë kthese për Teutën dhe a besoni te vazhdimësia?

Këto 6 pikë erdhën në momentin e duhur dhe fitoren e parë e morëm ndaj një rivali direkt si Partizani. Po kalojmë një moment të mirë, por edhe me Flamurtarin e dinim që do të ishte e vështirë. Objektivi s’do të ndryshojë. Edhe pas pushimeve do të hyjmë në fushë për të fituar. Nëse çdo lojtar kryen me përpikëri detyrat, rezultatet s’do të mungojnë.

rustem hoxha

I keni bërë një mbyllje mjaft të mirë vitit edhe në aspektin personal… 

Unë punoj fort për t’u rritur vazhdimisht. Nuk duhet vetëm një sezon i mirë, por rritje e vazhdueshme nga java në javë. Besoj se do të vazhdoj të punoj në të njëjtën mënyrë, për të bërë më të mirën time si për skuadrën ku luaj, ashtu edhe për veten.

Teuta gjeti edhe golat. Si erdhi zhbllokimi i sulmit?

Meritë e skuadrës që shënohen 3 gola. Nuk është aspak e lehtë të realizosh tre gola, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë. Nuk ishte me rëndësi zhbllokimi i sulmit, por ne duhet të jemi më kërkues. Sulmuesi është ai që ka pjesën e golit, është zona e tij. Në përgjithësi ishte një ndeshje pozitive, megjithëse rëndësi ka fitorja në këto momente. Pas trepikëshit me Flamurtarin kemi edhe kohën në dispozicion për të rregulluar ato reparte ku kemi probleme.

Morët fitoren e parë në transfertë pas 7 muajsh. U thye “tersi”?

E kishim përgatitur në imtësi ndeshjen. Shfrytëzuam rastet tona dhe morëm një trepikësh të merituar. Më vjen mirë që ia arritëm qëllimit, duke thyer makthin në transfertë. Ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe mendoj se e kemi kaluar ngërçin psikologjik që kishim jashtë fushe.

A mund të kishit më shumë pikë pas 17 javësh kampionat? 

Në ekip ka gjithmonë vend për përmirësime dhe detyra jonë është të nxjerrim mësime nga gabimet dhe t’i korrigjojmë ato.

Teuta festa e golit (1)

Do të guxoni për titullin, pasi 3 pikë larg Kukësit jeni?

Qëllimi ynë është të bëjmë më të mirën gjatë gjithë kampionatit. Skuadra është mirë psikologjikisht dhe pa dyshim që javët e fundit na ka ndihmuar të ngjitemi në renditje. Është herët për llogari, por mund të them që kemi potencialin e duhur për të shkuar sa më larg.

Faza e tretë për Teutën rezervon më shumë ndeshje në shtëpi. Ju favorizon ky fakt? 

E vërtetë kjo, por nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të vlerësojmë çdo kundërshtar. Nuk duhet të mendojmë shumë për këtë aspekt.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"