Hoxha premton fitore: Besëlidhja është projektuar për të qenë lider në Grupin A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2020 | 19:48

Hoxha premton fitore: Besëlidhja është projektuar për të qenë lider në Grupin A

Besëlidhja do kreun dhe për ta marrë duhet që fillimisht të kalojë pengesën me emrin “Burreli”. Lezhjanët e kanë nisur më së miri këtë kampionat, teksa numërojnë dy fitore në dy ndeshje, ku regjistrojnë një golavarazh prej 9 golash të shënuar dhe 3 të pësuar. E megjithatë, pushimi prej kalendarit i rendit vetëm të 3-ët (pasi rivalet kanë nga një ndeshje më shumë). Për këtë motiv në Lezhë janë të vendosur për t’i rrëmbyer pikët matjanëve dhe vendin në renditje. Këtë e konfirmon edhe Edmond Hoxha, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

edmond hoxha

Ja si u shpreh 23-vjeçari në prag të ndeshjes ndaj matjanëve: “Besëlidhja është e vendosur për ta vijuar rrugën e saj të fitoreve përballë çdo skuadre, që do të përballet me të. Lezhjanëve nuk u mungon produkti kualitativ për këtë. Skuadra ka dëshmuar në fushë se është projektuar për të qenë lidere e grupit A. Kemi fituar me goleadë jo vetëm në shtëpi, por edhe në transfertë. Ekipi ka zhvilluar vetëm dy ndeshje, ku kemi marrë 6 pikë të plota, me një golavarazh pozitiv, ndaj për këtë jemi të qetë”, tha fillimisht sulmuesi, i cili më pas shtoi: “Tani kemi sfidën ndaj Burrelit, një skuadër që renditet ne krye të tabelës me 9 pikët e plota, pra 3 pikë para nesh. Duke qenë se ne luftojmë për kreun, vetëm fitorja na vlen. Asnjë rezultat tjetër nuk na ngushëllon, ndaj gjatë gjithë kohës që kemi pasur në dispozicion, kemi punuar intensivisht për të marrë ngarkesën e nevojshme. Nën drejtimin e trajnerit Bardhi, gjatë 3 javëve pushim, që kemi pasur në dispozicion për përgatitje, njërën prej të cilave na e ka mundësuar kalendari, kemi punuar për të shmangur gabimet e mundshme”, u shpreh kavajasi.

Hoxha ka shpallur kandidaturën për golador, ashtu si 4 shokët e ekipit (mesfushori Armando Gega dhe sulmuesit Arsen Hajdari e Milan Gjorgjeviç). “Shpresoj shumë që edhe në sfidën ndaj Burrelit të shënoj gol. Ambiciet e mia janë që të marr kryesimin e goleadorëve të Kategorisë së Parë”,- deklaroi sulmuesi kavajas i Besëlidhjes, Edmond Hoxha, që për të tretin sezon radhazi luan për Besëlidhjen. Sezonin e shkuar ai ka shënuar plot 12 gola. Sakaq, lezhjanët kanë luajtur në mesjavë një ndeshje kontrolli brenda shtëpisë. Kjo do t’i shërbejë trajnerit Sinan Bardhi për të përcaktuar formacionin, që do të hedhë në fushë përballë Burrelit. Takimi do të luhet në stadiumin e Lezhës këtë të shtunë dhe vendësit do të kërkojnë fitoren e radhës.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"