Hoxha dhe Telushi, lojtarë të rinj tek i njëjti Partizan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 23:58

Hoxha dhe Telushi, lojtarë të rinj tek i njëjti Partizan

Pandemia “COVID-19” ka bërë që bota të funksionojë me disa rregulla të reja, përpos kontratave dhe kushteve që ishin përcaktuar më parë. Edhe futbolli, si një industri globale, u është nënshtruar rregullave të reja post-Koronavirus. Si rrallëherë, sezonet futbollistike në Europë vijojnë edhe në muajt qershor-korrik, periudhë e cila më herët përmendej vetëm për lëvizjet e merkatos së futbollistëve. Sipas rregullave të vjetra, 30 qershori ishte si dita ku një pjese të lojtarëve u skadonte kontrata që kishin me klubet në përfundim të sezonit të fundit. Ky rregull përfshin edhe disa lojtarë të Partizanit, ku më të spikaturit janë kapiteni Alban Hoxha dhe Bruno Telushi.
hoxha telushi
Normalisht, nga sot, portieri dhe mesfushori kanë dalë lojtarë të lirë, për sa kohë klubi nuk ka rinovuar zyrtarisht marrëveshjet kontraktuale me dy futbollistët. Gjatë kësaj periudhe ka pasur plot zëra merkatoje për këta dy “senatorë” të kuq, të cilët kërkonin t’i përfitonin me parametër zero. Gjithsesi, si Hoxha dhe Telushi pritet ta mbyllin sezonin me “demat”, që parashikohet të përfundojë në fund të korrikut. Duke qenë se dje u ka përfunduar kontrata, Hoxha dhe Telushi konsiderohen si lojtarë të rinj te Partizani, ndonëse mbetet i njëjti ekip.

Dy organizmat botërorë të futbollit, FIFA dhe UEFA, i kanë bërë parapritë kësaj situate, duke udhëzuar dhe këshilluar që marrëveshjet e vjetra të mbeten në fuqi deri në mbyllje të sezonit aktual. Por, edhe në këtë rast kërkohet mirëkuptim nga të dyja palët, lojtarë-klub, që marrëveshja të mbetet funksionale deri në mbyllje të sezonit, që për shkak të Koronavirusit është shtyrë në kohë.

Në rastet kur mungon mirëkuptimi, lojtarët duhet të njoftojnë federatën për ndërprerjen e bashkëpunimit sipas kontratës së vjetër, gjë të cilën mësohet se Hoxha dhe Telushi nuk e kanë bërë, kjo edhe për faktin se ekziston mundësia reale e rinovimit të bashkëpunimit me Partizanin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"