Hoti në “pit-stop”/ Presidenti Demi shfaqet në stërvitjen e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 21:05


Hoti në “pit-stop”/ Presidenti Demi shfaqet në stërvitjen e Partizanit

Engjëll Hoti është shqetësimi i vetëm i Partizanit për sa u përket dëmtimeve. “Dardani” një ditë para ndeshjes me Bylisin pësoi një dëmtim në kavilje, që po e mban larg skuadrës prej ditësh.

engjell hoti

Edhe dje, ai iu nënshtrua një programi individual stërvitjeje, teksa gjatë gjithë kohës fizioterapisti dhe përgatitësi atletik i qëndronin pranë për ta ndihmuar dhe për të shmangur ndonjë gabim, që do të përkeqësonte dëmtimin.

Hoti nuk ishte në gjendje të vraponte me shpejtësi maksimale, teksa nga ajo që bëhet e ditur, ai pritet të mos luajë ndaj Teutës, por të jetë tërësisht gati për betejën e parë në Superiore ndaj Egnatias.

Xhovani Kolela zhvilloi ditën e djeshme stërvitjen e parë në drejtimin e Partizanit. Gjithçka nisi në orën 19:00, siç ishte planifikuar. Duke qenë se edhe përgatitësi atletik, Marko Korali është italian, në pjesën më të madhe të stërvitjes u fol italisht. Zëvendëstrajneri Fatjon Tafaj gjatë gjithë kohës përktheu direktivat e trajnerit Kolela te lojtarët, teksa u kujdes të shikonte gjithçka me detaje dhe të korrigjonte gjithçka që trajneri nuk arrinte ta shihte.

Italianët shquhen për taktikë dhe që në stërvitjen e parë, Kolela e zhvendosi vëmendjen tërësisht te kjo pjesë. Pas disa lojërave të shkurtra, skuadra u nda në dy pjesë dhe trajneri organizoi një minindeshje për të parë gjendjen e lojtarëve, por nuk hezitoi aspak t’i jepte udhëzime skuadrës për mënyrën se si duhet të vepronin dhe të vendoseshin.

demi kolela

DEMI – Nuk mund të mos mungonte as prania e presidentit Demi, i cili vizitoi skuadrën, por u kujdes edhe të mësonte mbi gjithçka ndodhte në klub. Madje, në një moment ai ndaloi të pyeste Hotin mbi gjendjen e tij fizike. Presidenti qëndroi rreth 20 minuta në stërvitje.

PANORAMASPORT.AL