Horge Lorenco triumfon në Francë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2016 | 2:29

Horge Lorenco triumfon në Francë

Një tjetër dopietë e Yamahas. Në Le Mansh, Horge Lorenco ka dominuar në “Grand Prix”-in e Francës, raundi i pestë i botërorit të MotoGP-së duke kaluar i pari vijën e finishit përpara Valentino Rosit, ndërsa e plotësoi podiumin krejt papritur Maverik Vinales. horge lorenzoI ulur në motorin e Suzukit të ekipit Ecstar, pikërisht Vinales kuotohet si një trashëgimtar i mundshëm i majorkenit së bashku me “Doktor”-in sezonin e ardhshëm.

I nisur nga “pole position”-i, Lorenco interpretoi një garë perfekte nga starti e deri në epilogun e saj duke arritur suksesin e 63-të në karrierë dhe të dytën e sezonit pas asaj të fiksuar në Losail. Një gëzim i dyfishtë për kampionin e botës në fuqi, i cili rrëmben edhe kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm duke bërë rokadën me Mark Markez.

Spanjolli i Hondës e mbylli garën 13 xhiro nga fundi teksa në duel në kthesën e shtatë me Andrea Doviciozon për vendin e tretë rrëshqet dhe përfundon jashtë pistës. Një tjetër tërheqje nga gara para kohe edhe për pilotin e Dukatit. Fundjavë e errët edhe për shokun e tij të skuadrës, Andrea Ianone. Sakaq, ka qenë me fat për Valentino Rosin. Edhe pse i nisur nga vendi i shtatë nga “pole position”-i, arriti të rikuperojë mjaftueshëm ndaj rivalëve duke zënë vendin e dytë, por jo të vërë në rrezik kryesuesin e garës, Lorencon.

Për “Centaur”-in e Tavulias ky ishte podiumi i 214-të në karrierë, ndërsa për Vinales kjo është hera e parë që e sheh veten në “Top3” në një garë të MotoGP-së. Suzukit i mungonte një rezultat i tillë prej plot shtatë vjetësh e gjysmë, që nga podiumi i Loris Kapirosit në Brno në vendin e tretë në vitin 2008. Vendi i katërt shkoi për Dani Pedrozën me Hondën. Aleks Rins triumfoi në klasin e Moto2.

Spanjoll siguroi fitoren e 12-të në karrierë e të dytën sezonale pas asaj në Ostin duke paraprirë Simone Korsin. Vendi i tretë shkon për zviceranin Tomas Lut. Ndërsa në klasin Moto3 i pari u ngjit në podium Brend Binder, ky suksesi i dytë radhazi për pilotin e KTM-së në përfundim të 24 xhirove duke i rezistuar presionit të Romano Fenatit (KTM). Romani zuri vendin e dytë përpara spanjollit të Hondës, Horge Navarro.

Radha e mbërritjes
PILOTI KOHA
1. Horge Lorenco 43’51.290
2. Valentino Rosi +10.654
3. Maverik Vinales +14.177
4. Dani Pedroza +18.719
5. Pol Espargaro +24.931
6. Aleks Espargaro +32.921
7. Danilo Petruçi +38.251
8. Hektor Barbera +38.504
9. Alvaro Bautista +48.536
10. Stefan Bradl +54.502
11. Euxheni Laverti +1’02.677
12. Loris Baz +1’07.658
13. Mar Markez +1 xhiro

Klasifikimi i përgjithshëm
PILOTI PIKËT
1. Horge Lorenco 90
2. Mark Markez 85
3. Valentino Rosi 78
4. Dani Pedroza 53
5. Maverik Vinales 49
6. Pol Espargaro 47
7. Aleks Espargaro 42
8. Hektor Barbera 39
9. Euxheni Laverti 33
10. Andrea Ianone 25
11. Andrea Doviciozo 23
12. Stefan Bradl 23
13. Alvaro Bautista 21

Klasifikimi i konstruktorëve
SKUDERIA PIKËT
1. YAMAHA 115
2. HONDA 95
3. DUKATI 67
4. SUZUKI 55
5. APRILIA 27

Përgatiti: OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"