Holifild sfidë Tajsonit: Jam gati! E kam mundur 2 herë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 23:08

Holifild sfidë Tajsonit: Jam gati! E kam mundur 2 herë

Prej disa javësh dy ikonat e boksit botëror, Majk Tajson dhe Evandër Holifild, kanë nisur të stërviten intensivisht, duke deklaruar se do të rikthehen sërish në ring, për ndeshje bamirësie. Të shumtë kanë qenë zërat për një tjetër duel Tajson-Holifild. Megjithatë, disa ditë më parë Majk deklaroi se është në bisedime me disa boksierë dhe jo detyrimisht mund të jetë një përballje kundër Holifildit.
Mike-Tyson-Evander-Holyfield-1-

Ky i fundit ndërkohë duket plotësisht i gatshëm, madje nuk ngurron ta thumbojë rivalin e vjetër: “Ndeshja mund të bëhet nëse Tajson dëshiron. Nëse do ta kërkoja unë këtë duel, do të ishte sikur po e tallja, duke e vendosur kundër personit që e ka mundur dy herë”, deklaroi Holifild për mikrofonat e “BBC”-së.
tajsonn
Kështu, 57-vjeçari duket i hapur për sfidën e tretë, që do të ishte një duel bamirësie me tri raunde. Më tej Holifild vijon provokimin ndaj Majkut të hekurt: “Nuk dua të bëj presion, për faktin se të gjithë do të thonë që dëshiroj të luftoj kundër Tajsonit, sepse e di që mund ta mund”, deklaron 57-vjeçari.

Dy boksierët janë përballur dy herë me njëri-tjetrin gjatë karrierës, ku në të dyja rastet ka triumfuar Holifild: hera e parë ishte në vitin 1996, duel që u mbyll me KO në raundin e 11-të. Ndërsa një vit më pas ndeshja midis tyre u fut në histori, për shkak të veprimit të bërë nga Tajson. Ky i fundit i kafshoi veshin gjatë raundit të tretë, për t’u skualifikuar më pas. Holifild e ka zhvilluar ndeshjen e tij të fundit në vitin 2011, ku regjistroi suksesin numër 44 në 57 duele, duke mposhtur me KO teknik danezin Brajan Nilsen në Kopenhagen.

Në pritje të telefonatës së rivalit, Holifild po vijon të stërvitet me ish-kampionin Vladimir Klitçko. Nga ana tjetër, Tajson është boksieri më i ri në histori i shpallur kampion bote në peshat e rënda (vetëm 20 vjeç, në vitin 1986). Ndërsa është tërhequr nga boksi 15 vite më parë, teksa pësonte humbjen e 6-të në karrierë, në duelin me Kevin MekBrajd.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"