Holandës i mjafton 1 pikë, trajneri Kuman: Gjermania më e vështirë se Franca, por luajmë pa frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 18:43

Holandës i mjafton 1 pikë, trajneri Kuman: Gjermania më e vështirë se Franca, por luajmë pa frikë

“Mendoj se ndeshja kundër Gjermanisë do të jetë më e vështirë sesa ajo kundër Francës për ne, sepse Franca është një skuadër që mbron, ndërsa Gjermania një skuadër që sulmon. Duhet të jemi gati për këtë”. Këto janë fjalët e Ronald Kumanit, trajnerit të Holandës në konferencën për shtyp përpara duelit kundër “pancerave” në Gelzenkirshen.

ronald kuman

Një pikë u mjafton “tulipanëve” për t’u kualifikuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve verën e ardhshme, kundër një Gjermanie që ka rënë. Joakim Lëv i quajti rivalët si favoritë në përballjen e sotme, por Kuman e quan në një deklaratë të tillë si “një grackë” dhe ai thekson se Holanda e tij nuk ka fituar ende asgjë. “Nuk është realiste ta prezantojmë veten tonë si favorite kundër Gjermanisë. Por, ne duhet të tregojmë karakterin tonë dhe të hyjmë në fushë me idenë për ta fituar ndeshjen. Nuk mendoj se ne duhet të mbrojmë. Por, do të bëjmë lojën tonë dhe ne dimë të luajmë vetëm në sulm”.

Në Amsterdam, në ndeshjen e vajtjes, Van Dajk me shokë i mposhtën 3-0 gjermanët, me dy gola të shënuar në minutat e fundit të ndeshjes. Rezultati është i gënjeshtërt për Kumanin: “Në faza të caktuara Gjermania ishte më e mirë se ne, por edhe ndaj Francës. Dhe ajo ndeshje mund të kishte përfunduar ndryshe”. Ishtrajneri i Evertonit nuk shikon arsye që Gjermania të bëjë ndryshime radikale në drejtimin e skuadrës pas Botërorit të dështuar ku u eliminua që në fazën e grupeve.

“Nga pozicioni im është e vështirë që të gjykoj atë që shkoi keq në Rusi”, thotë tekniku kur i kërkojnë që të bëjë në analizë të dështimit të kampionëve të botës në mbrojtjen e titullit. “Unë e ndoqa Kupën e Botës nga distanca. Ndoshta uria dhe dëshira për të fituar nuk ishin ato të viteve më përpara. Por, Gjermania nuk ka arsye për të pasur panik”. Përkrah tij në konferencë ishte edhe mbrojtësi Mathijs De Ligt. Një nga gazetarët e krahasoi stilin e tij të lojës me atë të Kumanit, por ky i fundit, i cili kishte një rekord shumë më të mirë në sulm, një pyetjeje të tillë ju përgjigj me humor: “Por De Ligt mund të mbrojë më mirë”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"