Hodhi fanellën, Liçaj i kërkon falje Luftëtarit: Mirëpres çdo masë të klubit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2018 | 18:07

Hodhi fanellën, Liçaj i kërkon falje Luftëtarit: Mirëpres çdo masë të klubit!

Gjirokastritët e Hasan Likës janë gjithnjë e më pranë realizmit të ëndrrës “Europë”. Fitorja 3-1 ndaj Skënderbeut në kuadër të javës së 35-të, e arritur në shtë- pi, pa dyshim e bën më të sigurt pjesëmarrjen e bluzinjve në Europë. Pjesë e suksesit të Luftëtarit në fitoren e së shtunës janë të gjithë aktorët sportivë në fushë, si dhe stafi teknik me në krye “arkitektin” Hasan Lika.

Lejdi Liçaj është protagonist i fitores së Luftëtarit, teksa me golin e realizuar në minutën e 35-të vendosi baraspeshën e përkohshme. Goli i vlonjatit u shërbeu dukshëm bluzinjve për të bërë më bindëse fitoren përballë tetë herë kampionëve të vendit. Në një kohë që 31-vjeçari festoi së bashku me të tijtë momentin e golit të barazimit, e njëjta gjë nuk ndodhi në momentin e ndërrimit në minutën e 56-të me Demon, i cili i revoltuar hoqi fanellën dhe e hodhi në stol.

licaj-abazaj

Pas 24 orësh nga ai momenti irritimi, mbrojtësi Liçaj, i qetë dhe realist, ka reaguar duke kërkuar edhe falje për veprimin e kryer. “Ishte një veprim i nxituar nga ana ime për ndërrimin. S’duhet të veproja ashtu. I kërkoj falje tifozërisë gjirokastrite dhe presidencës. Mirëpres çdo masë që do të merret ndaj meje”, tha në fillim të reagimit Liçaj për “Panorama Sport”.

OBJEKTIVI- Si asnjë herë më parë në historinë e klubit, Luftëtari nuk ka përjetuar të tilla pozita në klasifikim. I renditur në vendin e tretë me 56 pikë të grumbulluara, një javë para uljes së siparit të sezonit, Luftëtarit minimalisht i mjafton një pikë në mesjavë. Lushnja do të jetë kundërshtari i fundit për bluzinjtë në këtë epilog mbresëlënës për Luftëtarin e Likës. Liçaj, falë eksperiencës dhe përvojës disavjeçare me ekipe të ndryshme, i druhet kundërshtarit, i cili, sipas tij, nuk ka çfarë të humbë.

“Nëse do të jem pjesë e formacionit me Lushnjën, më duhet të bëj gjithçka mirë. I rëndë- sishëm është rezultati pozitiv. Një pikë na mjafton në Lushnjë pa marrë në konsideratë rezultatet e kundërshtarëve. Laçi dhe Partizani na ndjekin hap pas hapi, por ne e kemi betejën me kundërshtarin e radhës, Lushnjën”, përfundoi Liçaj.

PËRGATITJET- Dje Luftëtari nisi përgatitjet për ndeshjen mbyllëse me Lushnjën. Lojtarët nuk janë larguar drejt familjeve të tyre, teksa kanë qëndruar të grumbulluar në Gjirokastër. Me në krye kapitenim Orjad Beqiri, një pjesë e mirë e futbollistëve bluzinj kanë ndjekur takimin e të rinjve mes Luftëtarit dhe Elbasanit, që u zhvillua në orën 12:00 në stadiumin ” Gjirokastra”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"