Historia prekëse/ Nga Amerika në Çermë, të internuarit që ngrenë një ekip futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2022 | 21:38

Historia prekëse/ Nga Amerika në Çermë, të internuarit që ngrenë një ekip futbolli

Edicioni i sivjetshëm i Kategorisë së Tretë do të ketë një skuadër debutuese. Bëhet fjalë për ekipin “KF Çerma 1969”. Gjithçka i referohet një ish-ferme, Çermë-Sektor. Në kohën e diktaturës komuniste, të persekutuarve të kësaj zone u duhej të merrnin leje për të lëvizur jashtë rrethit.

WhatsApp Image 2022-10-30 at 9.04.41 PM (2) (1)

E megjithatë, në vitin 1969 krijuan një ekip futbolli dhe luanin me njëri-tjetrin, në mungesë të lirisë së lëvizjes. Një nga më të persekutuarit e zonës, Skënder Muja, tashmë me banim në SHBA ka ndihmuar financiarisht që në këtë zonë të ketë futboll të lirë. Këtë verë është themeluar klubi i futbollit Çerma.

WhatsApp Image 2022-10-30 at 9.04.41 PM (3)

Fusha dhe stadiumi i Divjakës ku stërvitet KF Çerma

Ekipi do të marrë pjesë në Kategorinë e Tretë. Janë ngritur strukturat e klubit dhe ekipet e moshave, ndërsa për stërvitje shfrytëzohet fusha e Divjakës, e cila bashkë me fushën sportive në Çermë-Sektor janë në projektet e FSHF-së për t’u rikonstruktuar.

PRESIDENTI MUJA

Po kush është Skënder Muja? Një ish-i persekutuar tashmë në rolin e presidentit të një klubi, që do të garojë në të Tretën. Në një prononcim për “Panorama Sport” presidenti i Çermës tregon se si lindi dëshira për të krijuar ekipin e futbollit. “Skënder Muja ka lindur në Mamurras. Kur kam qenë në moshën 5-vjeçare jemi internuar në ÇermëSektor.

WhatsApp Image 2022-10-30 at 9.04.39 PM (1) (1)

Presidenti i KF Çerma Skënder Muja bashkë me disa lojtarë të ekipit

Këtu kemi kaluar një pjesë të jetës, fëmijërinë e adoleshencën. Jetuam këtu deri në vitin 1990. Pas viteve ’90 kemi emigruar në SHBA ku shkuam nga Italia. Si çdo emigrant, me punë e me të gjitha kushtet e jetës së një emigranti. Në vitin 1994 jam rikthyer për herë të parë në Shqipëri. Kam vazhduar vizitat vajtje-ardhje deri rreth vitit 2003. Kemi kontribuar. Ishte mbledhur një grup fëmijësh në Çermë. Këtu kemi qenë të persekutuar.

Ishim sportdashës, luanim futboll, por kemi pasur mundësi të luanim vetëm në atë vend. Jashtë zonës nuk luanim dot, sepse ishte sistemi që nuk na linte. Këtë vit rreth muajt mars, pashë fëmijë që luanin futboll. Kishte interes, kishte dëshirë. Por nuk e kishin mundësinë e financimit.

I kam mbështetur këta fëmijë dhe banorët e zonës që merreshin me futboll. Kam mbështetur financiarisht duke krijuar Akademinë e KF Çermës. Duke parë interesin e komunitetit të zonës, të Bashkisë Divjakë, atëherë filluam të zgjerohemi në të gjithë bashkinë. Na dhanë mundësinë për t’u përgatitur në fushën e Divjakës, që është në gjendje më të mirë. Pse u hapëm këtu në Divjakë? Sepse kemi mbështetjen e kryetarit të bashkisë. Na ka afruar mbështetje maksimale. Na ka falënderuar dhe e ka mbështetur nisëm tonë, që të ecim sa më mirë. Të konkurrojmë në Kategorinë e Tretë. Jemi regjistruar dhe federuar sipas të gjitha procedurave që ka FSHF-ja.

WhatsApp Image 2022-10-30 at 9.04.39 PM (2)

Presidenti i KF Çerma 1969 Skënder Muja

Ky është sezoni i parë futbollistik në të cilin konkurron ekipi me emrin KF Çerma. Ne do të përfaqësojmë Bashkinë e Divjakës. Ky është viti i parë. Janë ngritur strukturat e klubit. Kemi formuar ekipin e të rriturve. Të realizohej kjo duhej të bëheshin disa procedura. Po bëjmë një investim të madh dhe pretendojmë Kategorinë e Dytë.

Me grupin e çunave që kemi formuar, i kemi të gjitha mundësitë të realizojmë ngjitjen. Ekipit nuk i mungon asgjë nga ana financiare për këtu në Kategorinë e Tretë. Jam besimplotë që ekipi do ta realizojë objektivin. Futbollistët që kemi janë shumë të përgatitur. Kemi një trajner shumë të mirë me eksperiencë 15-vjeçare në Itali. Prej 4-5 muajsh stërvitemi rregullisht. Objektivi ynë është ngjitja në Kategorinë e Dytë.

Kemi qenë të persekutuar, na mungonte liria. Në atë sistem nuk i kemi pasur mundësitë. Talentet nuk na mungonin, por mundësitë po. Kështu lindi dëshira për të krijuar këtë ekip. Prej këtu kanë dalë edhe talente. Mund të përmend Eduart Rrocën. Është rritur këtu në Çermë dhe sot luan për Istambulsporin.

Ka pasur dëshirë, por nuk ka pasur financim. Ndaj kam krijuar kushtet financiare, që kjo zonë të ketë një ekip futbolli, një akademi dhe struktura të rregullta të një klubi. I mungonte një ekip bashkisë Divjakë. Do të kemi mbështetjen maksimale sa i takon anës ligjore dhe financiare nga bashkia, çfarë mund t’i takojë këtij institucioni”, tha Muja.

TRAJNERI

Në sezonin e parë në Kategorinë e Tretë ekipi i Çermës do të drejtohet nga trajneri Lulëzim Muça. “Presidenti na ka lënë objektiv që të jemi në krye të kampionatit të kësaj kategorie. Do të mundohemi me të gjitha forcat tona. Është një atmosferë pozitive, energji e madhe nga të gjithë. Ditën e hënë do të mësojmë kalendarin.

WhatsApp Image 2022-10-30 at 9.04.40 PM (2) (1)

Ekipi i Çermës nën drejtimin e trajnerit Lulëzim Muça

Është dëshira e madhe për të luajtur. Unë kam trajnuar në Itali dhe kjo është hera e parë në Shqipëri. U afrova këtu dhe shoh djem shumë kurajozë. Është një ekip i motivuar, që mezi pret të fillojë garën”, deklaroi trajneri Lulezim Muça.

KAPITENI

Qendërmbrojtësi Klajdi Prifti është kapiteni i Çermës. “Kemi një kohë të gjatë që përgatitemi. Është një grup lojtarësh të rinj dhe me eksperiencë. Shpresojmë të fitojmë ndeshjet dhe t’ia dalim që të ngjitemi në Kategorinë e Dytë”, deklaroi kapiteni Prifti.

STATUTI

“KF Çerma” është regjistruar në regjistrin e organizatave jofitimprurëse të mbajtura nga gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë. KF Çerma u themelua më datë 09.06.2022 si një organizatë jofitimprurëse, e organizuar në formën e një shoqate. Ka krijuar 9 ekipe, përfshirë dhe ekipin e të rriturve, që do të luajë për herë të parë në Kategorinë e Tretë.

Shoqata e Futbollit KF Çerma

PRESIDENT

Skënder Muja

ADMINISTRATOR

Hekuran Dobra

FINANCIER

Gazmir Albrahimi

TRAJNER

Lulëzim Muça

MJEK

Jorgaq Duka

MAGAZINIER

Drinald Balla

PUNËTOR

Petrit Luka

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"