Historia mund të përsëritet, Kukësi si në sezonin e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 17:50

Historia mund të përsëritet, Kukësi si në sezonin e titullit

Për momentin, te Kukësi e kanë të ndaluar fjalën “titull”, gjë që është vënë re edhe te deklaratat e trajnerit Diego Longo, ashtu si edhe të lojtarëve. I vetmi që deri diku kërkon maksimumin në fund të sezonit është presidenti i nderit, Safet Gjici. Mirëpo, fitorja e fundit ndaj Tiranës kryesuese, duke i shkaktuar edhe humbjen e parë në kampionat, bën që kjo skuadër të shihet si pretendente serioze.

kukesi

Nga ana tjetër, Kukësi është njëkohësisht edhe ndjekësi më i afërt, si edhe nuk ka qenë asnjëherë inferiorë ndaj kundërshtarëve. Ndaj, automatikisht e kthejnë në një ekip që duhet pasur në konsideratë sa i përket edhe titullit kampion. Përpos këtyre arsyeve, në Kukës duhet t’i besojnë pak edhe historisë, e cila duket se po përsëritet ashtu si në vitin kur dërguan titullin në shtëpi për herë të parë në sezonin 2016-2017, kur skuadra drejtohej nga Ernest Gjoka.

KRAHASIMI – “Panorama Sport” ka hulumtuar dhe ka gjetur ngjashmëri të skuadrës aktuale me atë të titullit kampion. Në fakt, çdo vit për Kukësin merret si krahasim viti i titullit, meqenëse është arritja më e madhe në historinë e këtij klubi. Nga një vëzhgim i 10 sezoneve që skuadra ka milituar në elitë, pas nëntë javëve të para që përkojnë edhe me një fazë, verilindorët e Longos kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh me ekipin e Gjokës, plot 17 të tilla. Mund të jetë thjesht një rastësi që rikthen entuziazmin në skuadër, por pikët janë të njëjta. Në vitin e titullit, Kukësi grumbullonte katër fitore dhe pesë barazime pas nëntë javësh, ndërsa tani ka një bilanc prej pesë fitoresh, dy barazimesh dhe dy humbjesh. Atëherë ishte një skuadër që shënonte pak dhe pësonte po pak, ndërsa tani shënon dhepëson shumë, por në fund rëndësi kanë rezultatet dhe pikët.

ecuria

VAZHDIMËSIA – Në një situatë të tillë ajo që ka më shumë rëndësi është vazhdimësia, e cila i ka munguar Kukësit në sezonet e kaluara. Kjo, për faktin se gjatë fazës së parë ka qenë pak a shumë në këto pikë, por kanë humbur terren rrugës në krahasim me rivalët. Rasti më i freskët është ai i sezonit të kaluar, ku pas fazës së parë kishin grumbulluar 16 pikë, por në fund e mbyllën edicionin në vendin e gjashtë, një rekord negativ për këtë klub në elitën e futbollit shqiptar. Për këtë arsye trajneri kërkon të mbajë skuadrën në tonus dhe t’i kënaqet vetëm fitores së fundit, duke mos bërë llogari për ecurinë, sepse në rast të gabimeve rrugës gjithçka mund të shuhet.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"