Historia e veçantë, si ndryshoi Manxukiç nga “kruajtëse dhëmbësh” në “luftëtar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 19:14

Historia e veçantë, si ndryshoi Manxukiç nga “kruajtëse dhëmbësh” në “luftëtar”

Në fillim ishte vrapimi: “Ishte aq i dobët sa të gjithë e thërrisnim kruajtëse dhëmbësh, por shumë i shpejtë, tmerrësisht i shpejtë dhe shumë rezistent”. Trajneri i parë i Mario Manxukiçit, Damir Ruhekt, buzëqesh ende sot kur mendon për ditën e testeve në Koper, ato 12 minuta vrapim, në të cilat matet kapaciteti atletik i një individi. “Mario kompletoi 3300 metra. Një rezultat i pabesueshëm për një të rritur (norma më e lartë është 3200), absolutisht jashtë normales për një djalë 13-vjeçar. Nga federata kroate na thanë: ‘Keni trukuar rezultatin, kujdes se do ju gjobisim’. Ndërsa ne iu përgjigjëm: ‘Ejani këtu dhe sillni me vete kronometrat tuaj'”.

HAPAT E PARË – Në moshën 17-vjeçare, Mario ishte i aftë që të luante edhe me të rriturit (në Serinë B kroate, me Marsonian), por nuk gjente vend në skuadrën e parë dhe kështu shkoi në huazim në një tjetër klub të qytetit të tij, Slavonski, te Zeljeznicari në Kategorinë e Tretë. Aty firmos të parën kontratë si profesionist. Presidenti është Sima Buzov, që ende në ditët e sotme drejton me krenari klubin. Sima u bën gazetarëve edhe Ciceronin dhe u tregon ende sot me buzëqeshje fotot e Manxukiçit, të cilat janë pak a shumë në çdo cep të klubit. Kurioz është fakti që edhe pse në këtë skuadër luajti vetëm 6 muaj, aty e kujtojnë me dashuri. “Mario është i madhërishëm. Unë besoj se kam qenë ndër të parët që kuptova se ai do të bëhej një kampion, shpjegon Sima. – Pastaj, ai ka mbetur shumë i lidhur me qytetin dhe klubet e tij, pasi është një person i vërtetë”. Dhe realisht, sa herë që bën vizitë, e gjen veten të rrethuar nga turma fëmijësh.

manxukic

SHENJTËRIMI I MARIOS

Sima Buzov ekzaminon me pamje serioze edhe të rinjtë e sotëm në klub dhe gjithmonë pëshpërit me veten: “Kush e di nëse ka një tjetër Manxukiç mes tyre”. Përkrah presidentit, në këtë udhëtim në rrënjët e Manxukiçit qëndron Cvjetkoviç, menaxheri i Marios, që kur dëgjon pëshpërimën e Buzovit, i kthehet: “Hej, mos harro të ma sinjalizosh”. Të dy qeshin, por në të vërtetë Manxukiçin ia kishte sinjalizuar vetë babai i futbollistit, Mato, kundër të cilit Cvjetkoviç kishte luajtur si profesionist: “Dhe i mallkuari (referuar babait të Marios) nuk më lejonte kurrë të shënoja”, kujton Cvjetkoviç, që më pas kujton mbi sulmuesin e Juves. – Një ditë, Mato më telefonon dhe më thotë: ‘Besoj se djali im ka numra interesantë, eja ta shohësh’.

Shkova dhe pas vetëm gjysmë ore vëzhgimi i shtrëngova dorën Matos: ‘Gjithçka e mbyllur, do ta marr me vete'”. Ndërkohë, Manxukiç kthehet nga huazimi te Zeljeznicari dhe aty ndryshon karriera e tij. Manxukiç, që falë shpejtësisë së tij e kishte nisur si mbrojtës krahu dhe më pas u spostua në krahë të mesfushës, u detyrua nga trajneri i Marsonias që të luante në qendër të sulmit, pasi bomberi i skuadrës u dëmtua rëndë. I mjaftoi vetëm faza e parë e sezonit për të shënuar 17 gola dhe aty ndryshoi historia, me babain e tij që zbulon: “Për këtë arsye zgjedh numrin 17. Ia kam sugjeruar unë. I thashë se ishte një sinjal. ‘Vishe përherë dhe do të jetë fatsjellësi yt'”. Dhe babai i Manxukiçit kishte më shumë se të drejtë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"