Historia e rrallë/ Mundësi 50-vjeçar që u shpall kampion: Kishin frikë mos më linte zemra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 20:18

Historia e rrallë/ Mundësi 50-vjeçar që u shpall kampion: Kishin frikë mos më linte zemra

Në finalet e Kampionatit Kombëtar të Mundjes Klasike, të cilat u zhvilluan disa ditë më parë në qytetin e Shkodrës, midis ekipeve pjesëmarrëse ishte edhe Tomori i Beratit. Nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Ibrahim Keli, në përfundim të aktivitetit beratasit zunë vendin e tretë në renditjen ekipore. 

Mundje

Ndërsa midis tetë sportistëve pjesëmarrës, njëri prej tyre, mundësi i njohur Altin Muçogllava është shpallur kampion i vendit në peshën e 9-të ose të parafundit në 97 kg. Pas kthimit në Berat ekipi ka rinisur sërish stërvitjen, por drejtuesit e tij dhe vetë kampioni i vendit në peshat e rënda Muçogllava, duke iu përgjigjur interesimit të “Panorama Sport”, kanë treguar në mënyrë ekskluzive edhe disa nga detajet e finaleve të kampionatit.

Natyrisht, ajo që ka rënë në sy dhe që përbën më shumë sesa një lajm për median sportive dhe që zgjon një interes edhe në opinionin e gjerë sportiv në Berat dhe jo vetëm, ka të bëjë pa dyshim me faktin se kampioni i vendit në peshën 97 kg ka vendosur një rekord vërtet të veçantë në këtë sport në vendin tonë, pasi është shpallur kampion në moshën 50- vjeçare!

RRËFIMI I MUÇOGLLAVËS 

“Fillimisht, më duhet ta nis nga gara e fundit kur u shpalla kampion i vendit, një rezultat ky që nuk është aspak surprizë as për mua dhe as për ekipin tim, pasi së bashku me trajnerin tim, të mirënjohurin Ibrahim Keli, kemi pasur një pritshmëri të tillë dhe ku gjithçka e bazonim te puna dhe stërvitja sistematike që kemi zhvilluar përpara garës së Shkodrës.

mundesi 50-vjecar

Në përgatitjen fizike që zhvilloja në dhjetëra seanca me vrapime në pistën e stadiumit ‘Tomori’, parametrat e mi kanë qenë të shkëlqyeshëm. Përpara kësaj gare, ajo që përbën një interes është se unë u riktheva në sport pas plot shtatë viteve, sepse kam qenë i larguar për një periudhë në emigracion. Por pasioni im nuk ishte shuar për mundjen dhe se parametrat e mi fizikë janë shumë të lartë e optimalë dhe e gjitha kjo falë dietës së rregullt që mbaj, duke mos njohur abuzime të natyrave të ndryshme, si alkooli dhe duhani.

Gara në Shkodër ka qenë e bukur dhe me rivalitet, ku jam përballur me katër kundërshtarë dhe që në finale kam fituar me tuç brenda 1 minute. Kështu, titulli kampion ka qenë për mua si një rezultat i punës sistematike, e cila është shpërblyer në këtë rast.

Për sa i përket moshës sime 50-vjeçare, për mua nuk përbën aspak problem, përkundrazi, përpara finaleve të kampionatit më ka ndodhur diçka që po e ndaj me gazetën tuaj, pasi në momentin kur drejtuesit e Tomorit kanë prezantuar sportistët në garë, nga ana e organizatorëve të aktivitetit janë shprehur me një lloj frike sapo kanë mësuar se një mundës beratas është në moshën 50 vjeç, duke thënë tekstualisht:

‘Kemi frikë se mos e lë zemra në tapet’. Por, nga sa ndodhi realisht në kampionat, të gjithë mbetën të befasuar me përgatitjen time të lartë dhe patjetër që u bindën për titullin kampion më se të merituar”, tregon mundësi beratas.

KËRKESA PËR BASHKINË: DUA NJË VEND PUNE 

“Besoj se nga ana e klubit dhe e Bashkisë së Beratit do të më vlerësohet puna dhe titulli i kampionit, që përfaqësoj ekipin e Tomorit, duke më siguruar një vend pune, me të cilin do të ushqej veten dhe familjen, sepse të gjithë jemi nevojtarë.

Për sportin që bëjmë të gjithë së bashku me trajnerët tanë të përkushtuar, mendoj se duhet vlerësuar minimalisht me një vend pune pa shumë pretendime, sepse sot kemi nevojë për mbështetje financiare dhe jo për stimuj moralë, pasi kupa, medalje dhe diploma kam me dhjetëra në shtëpi”, përfundon kampioni i mundjes, Altin Muçagllava.

Edi Spahiu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"