“Historia e Qatos na traumatizoi”, portieri i Luftëtarit: E mposhtim Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 17:18

“Historia e Qatos na traumatizoi”, portieri i Luftëtarit: E mposhtim Vllazninë

Panajotis Paiteris nuk e diskuton mbijetesën e Luftëtarit, ndonëse pikët janë minimale pas 13 javësh. Portieri evidenton se skuadra ka forcën dhe dëshirën për të bërë kthesën e madhe, madje edhe të sfidojë mungesën e eksperiencës.

paiteris luftetari

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, greku evidenton gabimet kundër Flamurtarit, e megjithatë shfaqet i bindur për fitoren ndaj Vllaznisë. Ndërprerja nuk i ka ardhur fort në ndihmë ekipit të tij, pasi ka ndalur ritmin. Nuk kishte si të mos fliste edhe për tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit, të cilin e ka përjetuar më së shumti prej dramës që përjetoi familja e mesfushorit Klinti Qato.

Luftëtari vazhdon të ketë oshilacione në rezultate, ju vjen keq që nuk shkuat më larg se barazimi përballë Flamurtarit?

Pas golit të avantazhit, ne u përpoqëm të menaxhonim takimin dhe më vjen keq që nuk ia dolëm. Mungesa e eksperiencës na ka ndëshkuar deri në momentet që po flasim me ju. Pavarësisht gjithçkaje, nga mënyra se si shkoi ndeshja, ne duhet ta fitonim atë. Edhe pse barazimi ishte rezultati i drejtë. Patëm mundësinë për të shkuar edhe 2-0, por gabuam dhe u ndëshkuam.

Në shtëpi nuk fitoni prej 14 shtatorit, a do të vijë kthesa e madhe kundër Vllaznisë?

Natyrisht që po. Vllaznia është skuadër me emër në futbollin shqiptar. Me këtë status vjen në përballjen me ne, por detyra jonë është të fitojmë dhe të mbledhim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura të fazës së dytë.

Beson vërtet Paiteris te mbijetesa e Luftëtarit?

Pa dyshim që po. Jemi grup i ri lojtarësh me energji të pashtershme në shërbim të skuadrës. Na duhet të fitojmë sa më shumë eksperiencë dhe besim brenda vetes në vazhdim. Me përkushtim dhe me kujdesin që po tregon stafi tekniko-organizativ, jam i bindur se do ia dalim.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, kampionati u ndërpre. A ju penalizoi apo erdhi në ndihmë?

Kjo ndërprerje nuk ndikon mirë për ne. Po ecnim me të njëjtin ritëm me përballjet me Teutën e Flamurtarin. Të gjithë po bënim mirë. Por, detyra jonë është të stërvitemi fort, të tregohemi profesionistë gjatë përgatitjeve, në miqësore e për më shumë në ndeshje zyrtare. Me këtë filozofi, trajneri ynë punon me grupin vetëm e vetëm që të ngjitemi sa më lart në klasifikim.

Si e përjetuat tërmetin?

Kam mbetur i shokuar. Këtu në Gjirokastër u përjetua ndryshe nga Durrësi dhe Tirana, pasi lëkundjet nuk shkaktuan dëme materiale dhe nuk u rrezikuan jetë njerëzish. Në qytetin ku jetoj unë, Larisa, nuk bien tërmete. Më shumë se ne e përjetoi Qato, shoku i skuadrës sonë. Ai humbi gjyshin dhe të afërmit e tij u traumatizuan. Nëpërmjet gazetës suaj dua t’i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së Qatos dhe gjithë shqiptarëve që përjetuan fatkeqësi.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"