Histori mes sakrificash/ “S’kishim as uniforma”, rrëfimi special i Rudi Vatës: Ju tregoj përballjen me Irlandën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2020 | 23:48

Histori mes sakrificash/ “S’kishim as uniforma”, rrëfimi special i Rudi Vatës: Ju tregoj përballjen me Irlandën

Histori mes sakrificash. E tillë ka qenë karriera e ish-kapitenit të Kombëtares Rudi Vata. Një emër i njohur jo vetëm për faktin se ka veshur fanellën kuqezi, por mbi të gjitha një nga lojtarët e brezit të viteve ’90, i cili ka shënuar emrin e tij me germa të arta edhe në futbollin skocez me një skuadër legjendare si Sëlltik.

Vata

“The Sun” ka rikujtuar një histori të ish-kapitenit kuqezi, e cila sot përkon me 28-vjetorin e ndeshjes që Vata ka luajtur kundër Irlandës në “Lansdone”. Media prestigjioze sjell historikun plot sakrifica, por me suksese, nga Vata duke shkruar: “Ai mbante veshur fanellën e huazuar nga Kombëtarja U21, në një ndeshje që ishte pika e kthesës për karrierën e tij të mëtejme. Liam Bredi e ka ndjekur në atë ndeshje dhe tetë javë më pas, mbrojtësi u kthye në Irlandë, për debutimin me Sëlltikun në miqësoren ndaj Kork Sitit”.

VËZHGIMI I PARË

“Rudi Vata fitoi vëmendjen e trajnerit Liam Bredi në humbjen 2-0, mes përgatitjeve kaotike të Shqipërisë, e cila ishte në mes të një kolapsi politik dhe social. Kjo nuk ishte aspak diçka e vogël. Për Vatën, vështirësitë ishin tashmë diçka e zakontë. Në mars 1991, pas humbjes 5-1 të Shqipërisë nga Franca, ai la “Parc des Princes” me takat veshur… Vetëm me rrobat dhe 50 dollarë, iu drejtua stacionit të policisë ku kërkoi azil politik për shkak të diktaturës në vendin e tij”.

REFUZIMI

“Aplikimi iu refuzua, por ndërkohë ai i ishte bashkuar skuadrës së Le Mansit. Vata theu kaviljen dhe këputi ligament që në ditën e parë. Një doktor i tha se nëse nuk e bënte operacion, këmba do t’i gangrenizohej. Nuk kishte mundësi për të paguar dhe as siguracione mjekësore, por sponsori Zhan Rene Beliard pagoi për operacionin dhe rikuperimin e tij të plotë. Në këtë periudhë, Vata gjeti edhe një vizë qëndrimi. Mirëpo, arratisja e tij bëri që Vata të pezullohej nga Kombëtarja për të mos luajtur derisa Partia Komuniste ra pas zgjedhjeve në mars 1992..”

RIKTHIMI

“Në prill ai u rikthye në Kombëtare, në ndeshjen që Shqipëria e humbi 3-0 nga Spanja. Përpjekjet e vendit për të ndryshuar ekonominë e centralizuar, ishin të dhimbshme”.

UDHËTIMI I GJATË

“Pas 15 orësh udhëtim nga Tirana drejt Lubjanës dhe pastaj drejt Londrës, shqiptarët arritën në Dublin, me shumë pak lojtarë, pa topa, uniforma apo mjete mjekësore ose edhe ato të nevojshme për stërvitje. E sapoformuara “miqtë irlandezë” ishte atje, ku të pranishëm ishin vetëm 2 nga pesë anëtarët. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së asokohe, Eduard Dervishi, u shpreh: ‘Deri pasditen e djeshme, nuk kishim para. Më pas gjetëm disa nga Këshilli Olimpik yni dhe vazhduam udhëtimin'”.

rudi vata seltik

DHURATAT

“Federata Spanjolle, me mirësjellje, na dha 50 mijë dollarë për shpenzimet. Shpresuam që edhe ajo irlandeze të bënte të njëjtën gjë. Homologu irlandez tha se ajo shifër ishte vetëm për udhëtimin dhe se nga ana e tij, nuk mund të jepte asgjë, pasi federata irlandeze nuk ishte aq e pasur. Mirëpo, pas bisedimeve me FIFA-n, Federata Irlandeze mbuloi shpenzimet, darkën dhe stërvitjen”.

SITUATA E KEQE

Shtypi i kohës shkruante se shqiptarët po e ekzagjerojnë me kërkesën për një set të dytë topash, pasi i pari ishte zhdukur. Më tej, Vata tregon për “Sun Sport”: “Ne ishim në gjendje shumë të keqe dhe federata irlandeze nuk kishte para. Shumë vende i njihnin vështirësitë tona dhe na ndihmonin”. Kompania “Peneis” siguroi veshje të zakonshme. “Adidas” pranoi të dhuronte një komplet uniformash për ndeshjen. 11 ditë më parë, me vendim qeverie ishte hequr ylli komunist. U dërgua dizajni dhe vetëm 2 orë e gjysmë para ndeshjes, fanellat u bënë gati. Ky ishte problemi i parë dhe më kryesori ishte të gjendeshin lojtarët për t’i veshur ato fanella. Ishte vetëm një nga gjashtë shqiptarët që luanin në Greqi.

Ishin vetëm 9 lojtarë. Ndaj në këtë ndeshje, Anesti Qendro, pasi një natë më parë kishte luajtur 90 minuta me U-21 u aktivizua edhe me ekipin A. Në humbjen 3-1 në “Tolka Park”, dy të tjerët që plotësuan ekipin ishin Artan Pali dhe Blendi Sokoli. Pavarësisht këtyre, Shqipëria ishte e vështirë për t’u mposhtur. Për 50 minuta, ndeshja qëndroi 0-0. Një zëvendësim bëri diferencën për vendësit. “Ata kishin më shumë eksperiencë dhe një pankinë më të plotë sesa ne. Në donim që të luanim për krenari më shumë se për çdo gjë tjetër.

FUSSBALL : WM QUALIFIKATION 2001 in Leverkusen , 24.03.01 DEUTSCHLAND - ALBANIEN 2:1 ( GER - ALB 2:1 ) Oliver NEUVILLE / GER , Rudi VATA / ALB FOTO:BONGARTS/Sandra-Behne

Futbolli ishte një nga kënaqësitë e pakta të popullit në atë kohë. Doja të bëhesha Franc Bekenbaueri i ri, por në atë kohë nuk më lejohej të lëvizja nga vendi. Ndaj maksimumi i ëndrrave ishte të luaje me Kombëtaren. Liria është gjithçka. Me të fiton edhe mundësitë e zgjedhjes”, tregon Vata. Mirëpo me fare pak mundim, trajneri i Sëlltikut, Liam Bredi, zbuloi një diamant në Dublin. “Ai bëri një foto me magazinierin dhe e pyeti se kush ishte numri pesë. Nga aty vijoi gjithçka”, deklaron Vata. Kupa e Skocisë në 1995-ën ishte trofeu i parë i fituar nga një shqiptar në një ligë kryesore. Në Glasgou, Vata njohu gruan e tij An Frances, duke përforcuar më shumë lidhjen e tij me Irlandën.

Ai luajti edhe në Gjermani, Qipro e Japoni. Çerek shekulli pas arratisjes së Vatës pikërisht në Paris, Shqipëria ishte përsëri atje si e kualifikuar në Europian. Të pafat në humbjen ndaj Zvicrës dhe ekipit të Francës, e cila realizoi dy herë, Shqipëria mundi Rumaninë. “Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë dhe më pas këta të fundit mund të krijojnë kohët më të mira. Mendoj se nëse do ta kisha ditur çfarë më duhet të përballoja për të bërë realitet ëndrrat e mia, do të thosha se është e pamundur. Por nuk duhet të dorëzohesh kur je në tokë. Nëse rrëzohesh 7 herë, duhet të ngrihesh 8. Gjërat nuk janë asnjëherë si duken”, ishte rrëfimi i Rudi Vatës.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"