Hiqet mesatarja për Sportin dhe Artet, Shyti: Vendimi i duhur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 23:40

Hiqet mesatarja për Sportin dhe Artet, Shyti: Vendimi i duhur…

Mesatarja mbi 6.5 nuk do të jetë më një kriter pranimi për maturantët që dëshirojnë të bëhen pjesë e Universitetit të Arteve dhe atij të Sporteve. Vendimi ka hyrë ditën e djeshme, menjëherë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare.

Artan Shyti

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 74, pika 1, e 76, pika 2, të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Pas pikës 7, të vendimit nr. 295, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen pikat 7/1 dhe 7/2, me këtë përmbajtje: “7/1. Kandidatët, që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare, të parashikuar në pikat 2 e 5, të këtij vendimi”, thuhet në vendimin nr. 651 të 3 tetorit të këtij viti.

Ky vendim është pritur shumë pozitivisht nga ambienti sportiv, veçanërisht nga maturantët që mesatarja e vendosur më parë 6.5 i penalizonte për të vazhduar studimet e larta për edukim fizik e sport. Ky vendim gjykohet si një ndihmë e madhe, sidomos për sportistët, të cilët, procesi stërvitor dhe agonistik i ka privuar nga koha e duhur për të arritur rezultate në lëndët mësimore që mundësonin arritjen e kësaj mesatareje. Për më shumë informacion intervistuam Prof.Dr.Artan Shytin, ProRektor i Universitetit Marin Barleti, një universitet që zhvillon një program studimesh në fushën e sportit.

Zoti Shyti, cili është vlerësimi juaj për këtë VKM?

Personalisht, por edhe si Universiteti Barleti, e gjykojmë shumë pozitive heqjen e kufizimit të mundësive për shkollim në sport dhe art vetëm për ata nxënës me mesatare të maturës mbi notën 6.5. Dhënia e mundësisë për të gjithë ata që kalojnë maturën që të ndjekin këto dy degë specifike, tregon një reflektim pozitiv të qeverisë dhe prandaj i duhet thënë “bravo”.

aRTAN SHYTI

Ku e shikoni vlerën e këtij vendimi?

Së pari, studimet e larta në këto degë, sport dhe art, nuk duhet të kushtëzoheshin nga një mesatare e shkollës së mesme që ka brenda shumë lëndë që nuk janë të domosdoshme në formimin e specialistëve të edukimit fizik e sportit.

Së dyti, ne e dimë që sportistët elitarë të këtyre moshave, jo gjithmonë kanë mundësi dhe predispozicion që të jenë të shquar edhe në mësime, por edhe ata kanë nevojë të arsimohen dhe të kenë një profesion kur mbarojnë karrierën sportive.

Së treti, vetë shkolla e lartë ka mundësi të ketë, ashtu si ka mundësi seleksionimi më të sakta se sa një notë mesatare. Studentët që hyjnë në shkollë, kanë një sërë detyrimesh akademiko-sportive, të cilat e bëjnë jo të lehtë përfundimin e studimeve, por nga ana tjetër, krijojnë një specialist sporti serioz e shumë të përgatitur për tregun e punës.

A është promovuar sa duhet ky vendim?

Natyrisht, opinionit publik i është bërë e ditur ky vendim dhe besoj se do të vazhdojë të bëhet. Edhe kjo intervistë shërben për këtë qëllim dhe unë ju falënderoj si gazetë që, edhe në këtë rast, jeni pranë problematikave të sportit, edhe kur nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me atë të luajtur, duke kontribuuar si gjithmonë në informimin e opinionit në mënyrë korrekte dhe profesionale.

Përfitoj nga rasti për t’i ftuar të gjithë ata që kanë përfunduar studimet e mesme dhe kanë pasur pengesën e mesatares për të vazhduar studimet në sport, që të shfrytëzojnë këtë mundësi shumë të mirë që iu është dhënë për të përfituar një profesion interesant dhe me shumë perspektivë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"