Hima shpall largimin, Kaloshi pret një “zile”/ Lushnja po tkurret dita-ditës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2022 | 23:07

Hima shpall largimin, Kaloshi pret një “zile”/ Lushnja po tkurret dita-ditës

Lushnja po “tkurret” dita-ditës. Verd hejeshilët prezantuan Klodian Duron në stol, por vetëm kaq. Asnjë hap tjetër nuk kanë hedhur për ndërtimin e ekipit. Nuk ka as rinovime dhe as afrime. Por largimet nuk mungojnë ama. Hugo da Silva iku pa u mbyllur mirë kampionati.

Lushnja

Në të njëjtën situatë ishin edhe Igli Moqi, Artion Alillari dhe Ledion Xhymerti. Për arsye dëmtimi, ata humbën një pjesë të mirë të fundit të garës. Mund të quhen të ikur. Ndonëse një ofertë joshëse nga drejtuesit mund të përmbysë çdo situatë. “Divorc” përfundimtar ka shpallur Xhuljan Reçi. Mesfushori duket se e ka mbyllur me futbollin, pasi është emëruar përgatitës atletik te Korabi.

Qendërmbrojtësi Klajdi Broshka ka zgjedhur ta vijojë karrierën tek AF Elbasani. E thënë troç, deri më tani 6 lojtarë i kanë larë “duart” me lushnjarët. Çështja është që skuadra rrezikon që të humbasë edhe elementë që ndoshta mund të jenë në listën e trajnerit të ri. Rasti konkret është ai i Xhonatan Lajthisë. Dihet që Tomori është në “gjurmët” e shënuesit më të mirë dhe po tenton ta bindë dhe nëse te Lushnja nuk lëviz gjë, nuk është habi që mesfushori të sistemohet atje.

KALOSHI – Ekipi është shpërndarë në fund të muajit maj, kontratat kanë skaduar dhe zyrtarisht asnjëra palë nuk ka detyrim ndaj tjetrës. E megjithatë, nuk janë të paktë lojtarët që janë ende në pritje të një “zileje” nga klubi.

I tillë është rasti i Mikel Kaloshit. Portieri ka vërtet oferta, por dëshiron që të qëndrojë në shtëpi. Këtë e pohon gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”: “Oferta kam nga dy ekipe të Kategorisë së Parë dhe nga një ekip i Superiores së Kosovës. Por po pres drejtuesit e Lushnjës. Primare është për mua ekipi i Lushnjës”.

HIMA – Larg Lushnjës duket Mirjan Hima. Sulmuesi rrëfen për gazetën se ka disa mundësi, por nuk ka në plan që të nxitohet. E megjithatë, e thotë qartazi se me verdhejeshilët e ka mbyllur. “Kam ofertë dhe nuk dua të nxitohem. Dua të bëj një zgjedhje të mirë, të duhurën. Nuk kam folur me Lushnjën, por mendoj se e kam mbyllur”, përfundoi 24- vjeçari, që u aktivizua 30 ndeshje në total.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"