Hila do një përvojë të re: Teuta meritonte më shumë, por dolëm nga… shinat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2018 | 18:27

Hila do një përvojë të re: Teuta meritonte më shumë, por dolëm nga… shinat

Teuta kërkon ta mbyllë me sukses kampionatin, ndonëse e di se në Laç i pret një ndeshje e vështirë përballë një kundërshtari tepër të motivuar, që kërkon të bëhet pjesë e kompeticioneve europiane. Mesfushori Ardit Hila beson se këto janë ndeshje që duhet t’u jepet një mundësi edhe atyre që janë aktivizuar më pak se të tjerët, teksa shfaqet i kënaqur me arritjen e objektivit një javë përpara fundit.

“Kemi bërë një sezon me ulje-ngritje, por në fund rëndësi ka që arritëm objektivin më minimal që kishim. Më vjen mirë që ekipi reagoi në javët e fundit ose më saktë në dy fazat e mbetura dhe ja ku jemi. Nëse do kishim qenë më të kujdesshëm, mund të pretendonim për më lart. Gjithsesi, duhet të kënaqemi edhe me mbijetesën”, tha fillimisht elbasanasi për “Panorama Sport”.

ardit hila

Duke ditur se mbijetesa është siguruar, me çfarë objektivi shkoni në Laç?

Teuta gjithmonë kërkon më të mirën në çdo ndeshje, por besoj se tani që kemi arritur objektivin mund t’u jepet një mundësi edhe të rinjve që kanë luajtur pak. Gjithsesi, besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar dhe do synojmë të mos dalim pa pikë.

Në fillim donit Europën, tani kënaqeni me mbijetesën. Si e vlerësoni sezonin e Teutës?

Të them të drejtën, thellë- thellë, të gjithë e dimë se nuk kemi bërë një sezon të mirë, kryesisht në dy fazat e para, pasi kishim ambicie të mëdha. Europa ishte një objektiv që nuk duhet ta diskutonim, por me kalimin e javëve dolëm nga shinat dhe madje duke rrezikuar mbijetesën. Gjithsesi, them se kemi bërë një punë të mirë në pjesën e dytë të kampionatit dhe për këtë duhet të jemi të lumtur.

Ku e shikoni veten në fund të sezonit, ka ndonjë ofertë konkrete?

Fillimisht dua që të mbyll edhe ndeshjet e fundit me Teutën, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë dhe të flas për të ardhmen time. Në këtë moment kam pasur disa bisedime, por do të mendohem mirë për zgjedhjen që do të bëj.

Do të jeni pjesë e Superiores apo dëshironi një aventurë jashtë vendit?

Realisht do të doja të luaj në një kampionat jashtë vendit, pasi karriera merr një tjetër hov. Gjithsesi, të shohim, kam pasur kontakte dhe besoj se do të luaj jashtë.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"