Hije dyshimi për VAR-in, FSHF mban në terr publikun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 15:38

Hije dyshimi për VAR-in, FSHF mban në terr publikun

Kanë lindur dy shimet e para për VAR-in në Shqipëri dhe kjo nuk ka të bëjë me domosdoshmërinë e tij, por për cilësinë dhe transparencën që i ofrohet publikut. Jemi të vetëdijshëm se duke qenë në vitin e parë të implementimit të kësaj teknologjie, edhe problemet nuk do të mungonin.

Ferataj VAR logo

Opinioni publik gjithashtu e ka kuptuar tashmë se VAR-i është i domosdoshëm në kampionatin tonë dhe për këtë duhet përgëzuar FSHF që me gjithë problematikën me infrastrukturën në një vend si Shqipëria, VAR-i po përdoret në çdo ndeshje të Superiores. Deri këtu gjithçka në rregull. Ajo që ka shqetësuar së fundmi kanë qenë problemet që janë shfaqur në ndeshjen Partizani-Kukësi dhe Skënderbeu-Dinamo, ku VAR-i nuk ka funksionuar. Edhe kjo mirëkuptohet, sepse jemi në hapat e parë, por gjërat që shqetësojnë janë:

var shqiperi

1) Nëse në Korçë, për shkak edhe të distancës me kryeqytetin, janë të vështira manovrat për të gjetur një zgjidhje, si ka mundësi që në stadiumin më të mirë në Shqipëri (“Air Albania”), nuk gjendet një zgjidhje?

2) Pse pamjet e VAR-it shpeshherë janë kaq të turbullta, ndërkohë që do të duhej të ishin shumë më të qarta (si në çdo vend tjetër ku aplikohet teknologjia)?

3) Pse nuk transmetohet për publikun pamja e detajuar, pasi ka përfunduar procesi i VAR-it dhe është marrë vendimi për një episod?

Në kampionatet e tjera kemi parë që kjo i ofrohet publikut me shumë qartësi për detajet e episodit…

DENONCIMI I JEMINIT

Nga tri sistemet që ekzistojnë: me regji qendrore, sistem me regji në çdo stadium dhe mini-VAR të lëvizshëm me furgonë për çdo ndeshje, FSHF-ja ka zgjedhur këtë të fundit. Dakord, por a është dikush përgjegjës për VAR-in dhe mbarëvajtjen e tij? A duhet që dikush të japë shpjegime kur ka probleme kaq të mprehta?

Fundja, përdorimi i kësaj teknologjie duhet të krijojë te publiku besim, për mënyrën se si funksionon, sepse prandaj janë shpenzuar afro 2 milionë euro nga buxheti total i FSHF-së për të gjitha kategoritë e futbollit, vetëm që të ketë transparencë. Kohët e fundit Lorenc Jemini, ishgjyqtar me stemën e FIFA-s, ka hedhur dyshime të forta për cilësinë e VAR-it shqiptar, duke deklaruar se kur luan Kombëtarja, FIFA i merr furgonët dhe pajisjet nga Greqia. Po te ne çfarë, cilësie përdoret?

FSHF INJORON OPINIONIN PUBLIK

Duke marrë shkas nga të gjitha faktet e sipërpërmendura, “Panorama Sport” kërkoi informacion të detajuar në federatë. Pas përgjigjes (arrogante duhet thënë) nga zyra për shtyp se pranojnë të përgjigjen vetëm nëse kërkesa vjen me e-mail, atëherë gazeta më datë 21 tetor 2021, i ka kërkuar zyrës për shtyp pranë FSHF-së informacion zyrtar pikërisht për këto çështje:

1) Nëse arbitrat janë trajnuar dhe certifikuar nga FIFA, pajisjet e VAR-it që përdoren në Shqipëri, kush i ka certifikuar?

2) Sa është shpenzuar për të blerë 3 furgonët e VAR-it?

3) Cila është procedura që është ndjekur për blerjen e pajisjeve që shërbejnë për VAR-in?

Deri më sot nuk ka pasur asnjë përgjigje nga FSHF-ja, duke mos denjuar të bëjë transparencë për opinionin publik dhe duke shtuar dyshimet mbi cilësinë e VARit që po përdoret sot në kampionatin shqiptar. Natyrisht, “Panorama Sport” nuk do ta lërë me kaq derisa të bëhet transparencë e plotë për gjendjen e VAR-it dhe publikut shqiptar të mund t’i serviren pamje të qarta.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"