Higuain: Jam rikthyer për të qëndruar, tani nuk ndalemi. Radhën e ka Interi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2019 | 10:35

Higuain: Jam rikthyer për të qëndruar, tani nuk ndalemi. Radhën e ka Interi!

“Shumë i lumtur për paraqitjen e skuadrës”. Kështu është shprehur me të drejtë Gonzalo Higuain pas përfundimit të ndeshjes kundër Bajer Leverkusenit, e mbyllur me rezultatin 3-0 për Juventusin.

higuain

Sulmuesi argjentinas, autor i golit të parë dhe mes protagonistëve kryesorë për bardhezinjtë ndaj gjermanëve, ka analizuar sfidën dhe i ka treguar rrugën “Zonjës” në disa deklarata për mediat italiane. “Nëse duam të ecim përpara, duhet të luajmë kështu. Sarri? Me të te Napoli kam zhvilluar sezonin më të mirë, punoj mirë përkrah tij dhe drejtuesve të Juves. U riktheva këtu me bindje të plotë, për të qëndruar dhe për të treguar sa vlej”.

Higuain është ndalur sërish te fitorja: “Ishte një ndeshje e rëndësishme pas barazimit në Madrid me Atletikon. E dinim se duhet të dilnim me tri pikë për të besuar te kualifikimi në grup. Kështu si sot (dje) duhet të luanim ndaj një kundërshtari të ndërlikuar. Ndihem i gëzuar për tifozët, për skuadrën dhe për golin e realizuar. Është gjithmonë bukur të luash në ndeshje të tilla”.

PËRPARA INTERIT – Në fund, një koment për përballjen e radhës, atë të së dielës, kundër Interit në “San Siro”: “Për Interin flasim nesër (sot), – ka nënvizuar “Pipita”, – sepse na pret një ditë pushimi e merituar përpara ‘betejës’ së fundjavës. Edhe ata po ashtu si ne do të jenë të lodhur nga ndeshja kundër Barcelonës. A janë rivalët e drejtpërdrejtë për titull në Serinë A? Është herët për të folur, mungon ende shumë nga fundi i sezonit, por është e vërtetë që duhet konsideruar një ndeshje nga e cila do të kuptohet shumë”, përfundoi Higuain.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"