Hidhet shorti në basketboll, presidenti Ponari: Presim ligjin e sponsorizimit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2019 | 13:08

Hidhet shorti në basketboll, presidenti Ponari: Presim ligjin e sponsorizimit!

Basketbolli shqiptar është gati për edicio nin 2019-200, ku tashmë është përcaktuar edhe shorti i startit të kampionateve kombëtare për të rritur dhe të rritura.

basketboll shqiptar

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Basketbollit, në prani të të gjithë përfaqësuesve të klubeve, skuadrat u njohën me kalendarin e sezonit të ri 2019-2020, që do të ngrejë siparin më 5 tetor. Klubet dhe shoqatat kanë pasur afat për plotësimin e dokumentacioneve të regjistrimit deri më 27 shtator.

FSHB njoftoi se pjesa më e madhe i ka kryer këto procedura, ndërkohë që federata u ka bërë edhe një lëshim tjetër duke i dhënë pak më tepër kohë për t’i mbyllur edhe detajet e fundit. Pas fjalimit përshëndetës të presidentit Avni Ponari, u kalua menjëherë në hedhjen e shortit.

SUPERLIGA MESHKUJ

Elita e basketbollit shqiptar edhe këtë vit do të përbëhet nga 6 skuadra, të cilat janë: Goga Basket, Teuta, Tirana, Partizani, Vllaznia dhe Barleti Eagles. Java e parë dhuroi sfida mjaft interesante, ku kampionët në fuqi të Goga Basket do të presin në kompleksin e tyre Tiranën. Vllaznia e fuqizuar me 5 lojtarë amerikanë do ta nisë sezonin e ri në Shkodër ndaj debutuesve Barleti Eagles. Ndërsa sfidë mjaft elektrizuese pritet të jetë edhe takimi që do të zhvillohet në Durrës, ku Teuta vendase do të presë Partizanin.

cascas

KATEGORIA E PARË MESHKUJ

Në nivelin e dytë të basketbollit të meshkujve do të kemi një kampionat me 6 ekipe, të cilat janë: Flamurtari, Apolonia, Elbasani, Skënderbeu, Kamza dhe Teuta B. Shorti i hedhur dje rezervoi këto përballje në javën e parë. Skënderbeu-Teuta B, Flamurtari-Apolonia dhe Kamza-Elbasani. Ekipi që renditet i pari fiton të drejtën për t’u ngjitur në Superligë, ndërsa vendi i dytë do të zhvillojë takim “play-off” me ekipin e parafundit të Superligës.

KATEGORIA E PARË FEMRA

Basketbolli i femrave këtë edicion vjen me risi, pasi do të ketë vetëm një kategori. Për shkak të tërheqjes së Skënderbeut, numri total i ekipeve mbeti 9, kështu që u grupuan të gjitha në një kategori të vetme, që do të përbëhet nga këto ekipe: SHKBTF, SHBTF, Flamurtari, Studenti, Vllaznia, Elbasani, Apolonia, Partizani dhe Kamza.

2222

Në javën e parë do të kemi menjëherë një finale të parakohshme që vendos përball dy Tiranat, të cilat u sfiduan edhe në finalet e “play-off”- it për titullin, disa muaj më parë. Kështu, SHB Tirana do të presë kampionet në fuqi të SHKB Tiranës. Ndërsa takimet e tjera do të jenë: Flamurtari-Kamza, Studenti-Apolonia dhe Elbasani-Vllaznia. Ndërkohë, skuadra e Partizanit do të jetë pushim në javën e parë.

PONARI: LIGJI I SPONSORIZIMIT, THELBËSOR

Avni Ponari, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, në prononcim për “Panorama Sport” u shpreh kështu pas hedhjes së shortit të kampionateve kombëtare: “Themelore është që aktivitetet do të vazhdojnë në të njëjtën vijimësi, ashtu siç ka qenë edhe në vitet e mëparshme. Nuk është se kemi ndonjë ndryshim esencial. Do të vijohet puna me programin e ekipeve kombëtare të moshave, program të cilin e kemi nisur 3 vite më parë, me synimin për të pasur një Kombëtare sa më të mirë”.

avni ponari

Ponari preku edhe vështirësitë më të mëdha që kanë klubet në përballimin e këtyre eventeve dhe e shikon ligjin e sponsorizimit si shpresë për ta përmirësuar gjendjen e sportit të koshit: “Vështirësitë e ekipeve, sidomos ato financiare, janë shumë të mëdha, gjë që dallohet qartë që te regjistrimet. Kështu që, i gjithë aktiviteti kuptohet që paraqet vështirësi, por shpresojmë që me ardhjen e ligjit të ri për sponsorizimet, do të kemi ndryshime thelbësore. Nëse ky ligj do të bëhet pjesë, atëherë do të kemi edhe krijimin e ndërmarrjeve sportive, të cilat do t’i shërbejnë basketbollit dhe do të krijojnë mundësinë për të pasur një aktivitet cilësor dhe basketboll sa më elitar”.

Në fund, kreu i basketbollit shqiptar ka një mesazh për të gjithë sportistët dhe ekipet, ndërkohë që do të kërkohet të masivizohet sa më shumë ky sport: “Ekipeve dhe sportistëve pjesëmarrës u uroj suksese dhe një sezon dinjitoz dhe me garë më të fortë. Të stërviten sa më shumë, pasi ashtu sikurse është shprehur edhe FIBA, që ne kemi talente të shkëlqyera, por i kemi të pastërvitur dhe uroj që stërvitja të ngrihet në një nivel më të lartë. Janë rreth 3 mijë lojtarë që luajnë basketboll në të gjitha moshat, ndërsa do të kërkojmë që këtë numër ta rrisim edhe më shumë, si për sportistë ashtu edhe për trajnerë dhe arbitra”, përfundoi Ponari.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"