Heshtje për mediat te Skënderbeu, Memelli mbledh ekipin. Ja si mund të luajnë korçarët kundër Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 9:07

Heshtje për mediat te Skënderbeu, Memelli mbledh ekipin. Ja si mund të luajnë korçarët kundër Teutës

Skënderbeu do të luajë sot me Teutën në “Niko Dovana”, ora 16:00, takim i cili do të hapë edhe fazën e tretë të kampionatit. Me gjysmën e sezonit të mbyllur, korçarët kanë një bilanc tejet negativ duke mos u qëndruar aspak pritshmërive të klubit. Në kushte të tilla, skuadra e ka detyrim për të bërë mirë nga kjo javë deri në fund të sezonit. Për këtë arsye, trajneri Migen Memelli ka filluar të vendosë veton në lidhje me menaxhimin e ekipit dhe mbajtjen e lojtarëve të përqendruar. Mbyllja e komunikimeve të jashtme për lojtarët dhe për vetë trajnerin duket se do të jetë pika ku Memelli kërkon të bëjë kthesën e shumëpritur në kampin bardhekuq. Krejt papritur Skënderbeu vendosi të heshtë para Teutës. Kishte kohë që heshtja për mediat nuk aplikohej në Korçë, por duket se situata e vështirë ka “kyçur” gojën e korçarëve që nuk kanë se si justifikojnë më paraqitjet e dobta.
146677475_3679973915373636_8292102361457448952_o
Fillimisht ka qenë Memelli ai që ka bërë me dije për gazetën se klubi i ka komunikuar atij të mos dalë në deklaratën e zakonshme për shtyp para një takimi. Më pas të njëjtën gjë trajneri bardhekuq ia ka përcjellë dhe lojtarëve duke i lënë në heshtje për këtë javë. Trajneri Mememeli ka folur me ekipin dhe pret një paraqitje të mirë sot në Durrës. Ai nuk ka dashur që të mbajë ekipin lart dhe në sulm, por fillimisht të mendojnë për të përmirësuar fazën mbrojtëse. Kjo është ajo që Memelli e ka parë më problematike te ekipi për vetë faktin se Skënderbeu ndëshkohet shumë lehtë dhe pëson shumë gola. Mbrojtja më e dobët e kampionatit pa dyshim që kërkon impenjimin nga ana e ekipit në bllok. Kjo ka sjellë që kërkesa e trajnerit të jetë e kushtëzuar për mbrojtjen.
146597038_3679974015373626_5109681126918390596_o
FORMACIONI – Përtej përgatitjeve bardhekuqtë do të vuajnë mungesa tepër të rëndësishme që deri diku do të kushtëzojnë paraqitjen e ekipit në fushë. Sadriu dhe Mensah mungojnë në Durrës. Bajrami nuk është ende në maksimumin e vet, por do t’i duhet të “shtrëngojë dhëmbët” në këto momente. Përpos problemeve në mbrojtje, trajneri është i vendosur të luajë thuajse njësoj si me Tiranën. Dajsinani do të jetë në portë. Meksi dhe Zguro do të luajnë në krahët e mbrojtjes, në qendër priten Bajrami dhe Nxhie. Mesi i fushës për momentin është reparti më i kompletuar, atje ku Taipi do të jetë titullar së bashku me Randin dhe Dovunën, që rikthehet nga minuta e parë në këtë ndeshje. Më tej Mara dhe Berisha do të jenë në mbështetje të Pusit, që me Mensah të pezulluar rifiton fanellën e titullarit. Ky është formacioni që Memelli ka përgatitur për t’iu vënë përballë Teutës, me shpresën se do të mund të sjellë diçka ndryshe te Skënderbeu.

skenderbeuuuu
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"