Heshtje dhe mungesa para Laçit, Sadedini “shkund” lojtarët: Duhet të ndryshojmë gjendjen ku jemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2019 | 10:28

Heshtje dhe mungesa para Laçit, Sadedini “shkund” lojtarët: Duhet të ndryshojmë gjendjen ku jemi

Flamurtari në heshtje shtypi para Laçit. Situata është më shumë se e nderë pas katër ndeshjeve, ku kanë shënuar vetëm humbje. E ndërsa presioni është i madh si te stafi teknik, ashtu edhe te lojtarët, klubi ka vendosur që një ditë përpara këtij 90-minutëshi të mos ketë asnjë komunikim me median. Kjo shihet si një formë për të shmangur ngarkesën psikologjike.Flamurtari

MUNGESAT – E sikur të mos mjaftonin rezultatet negative që në nisje të këtij sezoni, vlonjatët janë të detyruar që t’i presin me mungesa kurbinasit e drejtuar nga Sulejman Starova. Mesfushori boshnjak, Semir Bajraktareviç, nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi. As argjentinasi Sebastian Ibars nuk është rikuperuar ende, ashtu si edhe kosovari Lirim Mema.

Lajm i mirë është rikthimi i Valdo Zeqajt, pasi ka shlyer pezullimin prej kartonëve. Në këto kushte, Dritan Sadedini është i kushtëzuar që të bëjë ndryshime në 11-she. Dilemat janë të mëdha, por ajo çka dihet është fakti se mbrojtësi Jorgos Sarris do të jetë titullar. Moçka është i sigurt në portë, ndërsa në mbrojtje pritet që veç grekut të luajnë Deliaj, Pjeshka, Gocaj. Në mesfushë janë Zeqaj, K.Nebihi, Nika, Hoxha dhe në sulm dyshja B.Nebihi-Sukaj.sadedini

KËSHILLAT – Përballja ndaj Laçit do të jetë një provë zjarri edhe për fatin e trajnerit. Një tjetër humbje do të ishte e pesta dhe rrjedhimisht “vetëvrasje”. Edhe dje, trajneri i ka tërhequr vëmendjen skuadrës dhe është munduar që t’i “shkundë”, me shpresën që të vijë edhe kthesa. Ai ka kërkuar që lojtarët të kenë më shumë personalitet dhe të jenë më luftarakë në fushë. “Duhet të ndryshojmë gjendjen ku jemi. Nga ndeshja me Laçin kërkoj nga ju që të tregoni karakter. Kjo është shumë e rëndësishme. Deri tani kemi shfaqur shenja dobësie. Tregoni forcën tuaj. Nuk na falen më gabimet. Do të ishte shumë fatale nëse do të kishim një tjetër rezultat negativ. Të jeni të përqendruar në këtë takim për ta nxjerrë atë sa më mirë. Dua një ekip luftarak”, mësohet t’u ketë ka thënë Sadedini lojtarëve.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"