Heronjtë e Skënderbeut / Plaku: E prisja këtë moment; Lilaj: Skuadra ka zëvendësues për Mlladën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 19:41

Heronjtë e Skënderbeut / Plaku: E prisja këtë moment; Lilaj: Skuadra ka zëvendësues për Mlladën

Sabien Lilaj dhe Sebino Plaku ishin heronjtë e Skënderbeut në ndeshjen e djeshme. Sulmuesi hyri në fushë nga stoli në fillim të pjesës së dytë dhe rezultoi një ndërrim i duhur. Plaku rikuperoi një top thuajse të pamundur në momentin e golit të parë që u shndërrua në asist për Lilajn. Ndërsa, sulmuesi realizoi vetë golin e dytë pas një ekzekutimi perfekt me parabolë nga jashtë zone.

plaku

SEBINO PLAKU

Pas ndeshjes së djeshme, Plaku tha: “Për mua ishte një dëshirë e madhe të luaja. Më kishte marrë malli të shihja atë entuziazëm në stadium dhe një kënaqësi që të isha protagonist në një takim. Ishte çdo gjë shumë e bukur. Që në momentin që hyra, situata u krijua në favorin tim dhe mendova që ishte momenti i duhur. Kisha kaq kohë që e kërkoja këtë gjë dhe, në njëfarë mënyre, edhe stafi ma dha këtë pjesë të besimit që para se të hyja. Ishte çdo gjë e mirë dhe shkoi perfekte.

Më vjen mirë që dëgjoj fjalë të mira nga trajneri. Jam munduar që t’i dëgjoj këshillat e tij dhe tashmë jam i kënaqur që gjithçka shkoi kështu. Do të jetë gjë e bukur që të nis një aventurë të re me Skënderbeun në Europë. Është bukur të kthehesh me gol dhe të jesh protagonist.

E kam pritur këtë moment gjatë gjithë kohës. Kam qenë i gatshëm në çdo minutë. Goli i dedikohet situatës, pasi, siç e thashë, nuk kam qenë mirë, pasi nuk kam qenë shumë aktiv, por futbolli është i tillë dhe, në momentin që m’u dha kjo mundësi, për fat shkoi mirë. Kështu që ua dedikoj të gjithë njerëzve që besuan tek unë”, tha Plaku.

lilaj osmani jashanica latifi

SABIEN LILAJ

Ndërsa, Sabien Lilaj deklaroi: “Ka qenë një mbrëmje shumë emocionuese. Të kalosh dy ture të Europës është shumë e veçantë, por sidomos kur e kalon me një rezultat të tillë të pastër gjithçka bëhet edhe më e bukur. Goli është një kënaqësi më vete, por më shumë jam i lumtur për rezultatin e ekipit dhe që do të luajmë në turin e tretë të Ligës së Europës.

Për momentin, kur u ndëshkova me të kuq, mendova më të keqen që do të dënoja ekipin. Por, për pak, arritëm të shënonim golin e dytë dhe më pas u lehtësova dhe u harrua ai ndëshkim. Gjithsesi, do të mungoj në ndeshjen e parë ndaj Mladës. Është një goditje e madhe edhe për mua, pasi Skënderbeu ka shumë lojtarë cilësorë në ekip që mund të më zëvendësojnë në mënyrën e duhur.

Për mua do të jetë një mungesë e rëndësishme, pasi këto ndeshje janë me emocion të veçantë dhe nuk doja kurrsesi ta humbisja. Mlada është kundërshtari ynë i radhës. Një ekip shumë i fortë, pasi, pas çdo turi që kalohet, edhe vështirësia rritet më shumë. Nuk e njohim ekipin kundërshtar dhe, gjatë kësaj jave, do të mundohemi të marrim informacionet e duhura”, përfundoi Lilaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"