Heroi i ndeshjes, Rezi mesazh Qarrit: Dua të qëndroj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2018 | 14:00

Heroi i ndeshjes, Rezi mesazh Qarrit: Dua të qëndroj

Futbollisti 24-vjeçar nga Maminasi i Durrësit është heroi i Kamzën. Një sezon më parë ishte ai që e ngjiti ekipin në Superiore, ndërsa dje i dha edhe mbijetesën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai tregon emocionet e përjetuara. “Sigurisht që jam i lumtur, kemi punuar gjatë gjithë sezonit, që kjo skuadër të ishte përsëri midis më të mirave edhe e kemi merituar. Kemi zhvilluar një kampionat të bukur ku në shumë prej ndeshjeve kemi dhënë edhe spektaklin me ekipet më të mira të elitës pa harruar oshilacionet, ku kemi qenë të fortë midis më të fortëve dhe të dobët në mes të dobëtëve.

kamzaa

Kështu kemi marrë rezultate mjaft të mira kundër skuadrave pretenduese për titull, por kemi humbur takime me skuadra rivale që ishin për mbijetesë. E them me sinqeritet se kemi pasur kundër gjyqtarët, na janë mohuar gola si ai në Shkodër. Ndoshta duke menduar që kjo është Kamza një ekip i ri në elitë, arbitrat na kanë goditur jashtë mase”, ka thënë Rezi, që ndihet te kamzalinjtë si në shtëpi. “Unë ndihem si në shtëpinë time. Te Kamza kam marrë shumë, por edhe kam dhënë duke justifikuar ndihmesën e klubit. Gjithçka është reciproke. Sigurisht që ndjesia kur arrin dy suksese në dy sezone radhazi është e madhe”, vazhdoi lojtari. E ardhmja – Në përfundim të një sezoni gjithmonë flitet për të ardhmen, por Rezi fillimisht kërkon që të pushojë.

Capture

“Plane çdo futbollist ka në mendjen e tij. Por, për momentin po pres pushimet. Ka qenë një sezon i fortë, i gjatë e i lodhshëm dhe na duhet një kohë pushimi. Kemi në mendje edhe plane, po sigurisht është klubi ai që vendos. Dëshiroj të qëndroj te Kamza. Tani jam bërë si i shtëpisë në klubin kamzali”, sqaroi lojtari që ka një dedikim special për golin e djeshëm. “Sa herë që shënoj përveç dedikimeve të shokëve dhe klubit, një dedikim i veçantë shkon për familjen time. Të gjithë bëhen të lumtur. S’ka më mirë se t’i sjellësh lumturinë familjes”, ka mbyllur Rezi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"