Heroi i mbijetesës te klubi i Kategorisë së Parë, Vidal: E dija që nuk do gaboja
Turbina shpëtoi dhe tashmë ka të drejtë të pushojë. Skuadra mundi Devollin në “play out” dhe fitoi të drejtën që të qëndrojë në Kategorinë e Parë.
Heroi i cërrikasve ishte Markos Vidal, i cili ktheu në gol penalltinë e fituar në të 90-ën minutë. Për gazetën “Panorama Sport”, braziliani tha:
“Shpëtuam dhe hoqëm një siklet të madh. Jam shumë i lumtur që shënova në një finale kaq të rëndësishme dhe qëndruam në Kategorinë e Parë. Golin ua dedikoj tifozëve që na mbështetën në Durrës.
Penalltia ishte shumë e pastër. Duhet të tregohesha i saktë dhe kjo ishte një përgjegjësi e madhe. Isha tepër i qetë në fakt dhe kjo falë përvojës së madhe që kam. E ardhmja? Ende nuk e kam vendosur këtë gjë. Tani për tani po shijoj pushimet dhe jam ende nën efektin e fitores”.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
