Heroi i fitores drithëruese të Dinamos, Vila: Shënova golin e fitores me këpucët borxh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2018 | 22:21

Heroi i fitores drithëruese të Dinamos, Vila: Shënova golin e fitores me këpucët borxh

Është autori i njërit prej golave me historikë, të një ndeshjeje të mbetur në kujtesë për çfarë ndodhi. Ishfutbollisti i 17 Nëntorit, Kombëtares, Shpresës triumfuese në Trirer të Gjermanisë, dhe një ndër talentet në rolin e sulmuesit të krahut, në vitin 1984 “braktis” bardheblutë për t’u transferuar te Dinamo ku qëndroi katër sezone. Madje, aty e mbylli karrierën. Sot 58 vjeç, ja si e tregon Vila për gazetën çastin kur Birçe e futi në lojë dhe goli që shënoi me këpucët e një futbollisti tjetër të stolit.

Vila

Një Dinamo drejt Kategorisë së Dytë. Çfarë mbani mend nga ajo periudhë?

Atë sezon e mbaj mend, pas një ndeshjeje në Turqi për Kupën Ballkanike, në kthim, në doganën e Kapshticës, gjatë një kontrolli, të fshehur në sediljet e autobusit u gjetën ora dore. Filloi një fushatë e rëndë, lojtarë që merreshin nga Konvaleshenca ku ishin të grumbulluar e thirreshin në hetuesinë e Durrësit, deri te Burhan shoferi. U dha një orientim në heshtje për shkatërrimin e skuadrës, largimin e disa lojtarëve të konsideruar veteranë.

Nga stoli në fushë dhe luajtët me këpucë hua. E vërtetë?

Isha i sëmurë, nuk doja të shkoja në Kuçovë, por Birçe këmbënguli që të paktën të qëndroja me skuadrën për t’i dhënë kurajë. Papritur, në meslojë, në “pabesi”, ai më thotë: “Do futesh, djemtë kanë nevojë për eksperiencën tënde, se ata po e lëshojnë lojën”. Kam marrë këpucët e futbollistit Bisha me numër 43 kur unë e kam 41 nr. e këmbës dhe duke zëvendësuar Topçiun, jam futur kur kishin mbetur rreth 30 minuta lojë.

Dhe vjen goli spektakolar…

Luheshin dhjetë minutat e fundit. Në një kundërsulm pranë anësores me tre pasime, Tahiri, Jançe futi një top paralel me vijën e 16 metrave, dhe nga një distancë rreth 25 metra kam gjuajtur me të djathtën, një trinë e plotë e fortë befasuese. Një goditje si me pushkë, pasi as me revole nuk mund ta shënosh atë gol… dhe topi që përfundoi në këndin e poshtëm djathtas tokazi të portierit. Ishte një gol që i shtangu të gjithë. Ai ka qenë goli i fundit, ndërsa luajta edhe një ndeshje për Kupën Ballkanike, pas së cilës e lashë futbollin kur isha 28 vjeç.

Pse gjithë ajo revoltë në Kuçovë?

Diçka kishte filluar gjatë lojës, kur tifozët përplasnin gurët çak-çak bashkë me “vdekje komunizmit”. Ndërsa pas saj, gjuanin me llastik me gurë e saçma, njëra prej tyre goditi edhe Shefin e Rendit të Beratit. Xhamat e dhomave të zhveshjes, banjave, dusheve u thyen. Fati ishte se dritaret ishin me hekura dhe nuk mund të hyje brenda. Mbi çatinë me tjegulla të godinës ndjenim hapa, kishin mundur të futeshin nën tavan, por nuk komunikonin dot me ne. Dëgjonim fjalë se do merrnin benzinën e makinave për t’i vënë zjarrin që mund të dilnin jashtë njerëzit.

Dhomat

A patët frikë në dhomat e zhveshjes?

Lojtarët vendës u lanë dhe u larguan, duke na lënë vetëm aty. Desh tentuan të futeshin në dhomat e zhveshjes, por u bë përpjekje nga policia për të na ruajtur se mund të vdisnim. Ishte një moment kur trajneri Birçe tha: “Nuk dalim gjallë prej këndej”. Kemi parë tmerr me sy. Kujtoj se një sinjal ishte dhënë gjatë lojës, kur tifozët përplasnin gurët çak-çak bashkë me “vdekje komunizmit”. Ndërsa, pas saj gjuanin me llastik me gurë e saçma. Deri në mesnatë kemi qëndruar ashtu, pastaj me një makinë ushtarake të mbuluar jemi nisur dhe deri në Urën Vajgurore kemi qëndruar të shtrirë me ushtarët që me automatik në duar ishin në gatishmëri.

Ju kujtohet skuadra?

Bozhiqi, E. Kela, Stafa, Kove, Noga, Vata, Canaj, Ndreu, Demollari, Jance, Topçiu, Tahiri, Abazi, dhe trajnerët Birçe e Ilir Luarasi, që u nda pak kohë më parë nga jeta. Duhet të kem harruar edhe ndonjë tjetër, me siguri!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"