“Heroi” Guri: Golin ia dedikoj tifozëve, pas Tiranës mposhtim edhe Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 18:30

“Heroi” Guri: Golin ia dedikoj tifozëve, pas Tiranës mposhtim edhe Partizanin

Kukësi i falet Sindri Gurit. Falë golave të shënuar prej tij në të dyja ndeshjet, verilindorët e shohin veten në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Shkodrani është më shumë i lumtur për këtë fakt, megjithatë tashmë uron që skuadra të mos ndalet më dhe të ketë vazhdimësi.

Guri

Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi e pranon që ndaj Tiranës nuk ishte e lehtë. Shtatlarti ndihet i surprizuar nga numri i tifozëve në “Zeqir Ymeri”, të cilët sfiduan kushtet atmosferike dhe hodhën pas shpine humbjen ndaj Kamzës.

Vjen më në fund kthesa e Kukësit. Kaloni me sukses Tiranën dhe jeni në gjysmë- finale…

Jam shumë i gëzuar për këtë. Qëllimi ynë ishte vetëm kualifikimi dhe, për fat, ia dolëm me sukses, por tashmë është koha për vazhdimësi.

Ashtu si dy javë më parë, nderoni Kukësin. E prisnit që do të shënonit sërish dhe kaq shpejt?

Në çdo ndeshje mundohem t’i zgjidh unë ndeshjet dhe kjo është logjike, derisa jam sulmuesi kryesor i ekipit. Të gjithë presin shumë nga unë. Përpiqem që të jap maksimumin për ta ndihmuar ekipin, paçka se jo gjithmonë mund të bëhet ajo që ne kërkojmë dhe duam.

A keni një dedikim për golin?

Golin ia dedikoj të gjithë ekipit, stafit dhe pa dyshim atyre tifozëve të mrekullueshëm që sfiduan të ftohtin e borën dhe erdhën për të na mbështetur në shkallët e stadiumit. Po mundohemi të japim më të mirën.

Duket sikur tifozët erdhën në ndihmë në kohën e duhur, u surprizuat?

Nuk e mendova se do të kishte aq shumë tifozë dhe jo vetëm prej kushteve atmosferike, por edhe nga humbja e fundit që pësuam në Kukës, por kuksianët bënë gjënë e duhur. Erdhën dhe ne jua kthyem në festë.

Vitin e shkuar mes jush dhe Tiranës u fol shumë për një pakt, çfarë ndryshoi këtë herë?

Nuk di të them ndonjë gjë për pakte ose për ndonjë gjë të tillë, unë përqendrohem në fushë dhe mundohem të jap më të mirën time. Besoj se u pa qartë se ndeshjet ishin të luftuara deri në momentet e fundit.

Shumë afër keni transfertën me Partizanin, ishte fitorja me Tiranën një test para të kuqve?

Nuk mund të them test, se kjo ishte ndeshje Kupe dhe mbi të gjitha një trofe shumë i rëndësishëm për ne. Me Partizanin do tentojmë lojë tjetër, se na duhet shumë fitorja. Do ta kërkojmë në të gjitha mënyrat.

Mendoni që humbja ndaj Kamzës ka mobilizuar Kukësin, çfarë rezultati prisni përballë Partizanit?

Ishte një humbje dëshpëruese dhe për mënyrën se si erdhi. Tani nuk duhet të kthejmë kokën mbrapa, por të shohim përpara. Na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe duhet ta kalojmë me rezultat pozitiv që është fitorja normalisht.

Çështja “titull” duket e mbyllur, por edhe gara për vendin e dytë është bërë e fortë. Si e shikoni vazhdimësinë e këtij kampionati?

Duhet të përqendrohemi vetëm në ndeshjet e radhës dhe t’i kalojmë me sukses, mundësitë i kemi dhe lojë po prodhojmë, shpresoj të kemi dhe pak fat dhe pastaj gjithç- ka është në dorën tonë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"