Heroi Bakaj: Sot nuk ishim përgatitur për penallti, Halili na i gjuante vetë te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2021 | 23:44

Heroi Bakaj: Sot nuk ishim përgatitur për penallti, Halili na i gjuante vetë te Tirana

Edvan Bakaj sot ka qenë protagonisti i suksesit të Dinamos, duke e ndihmuar të kualifikohej në Kupën e Shqipërisë pasi priti tre penallti të ish-skuadrës së tij, Tiranës. Gardiani tregoi për “SuperSport” si dhe prapaskenat në të dy klubet kryeqytetase.

bakaj

“Të them të drejtën ishte penalltia e dytë që kam gjuajtur në karrierë. Herën e parë ka qenë në Kosovë me trajner Shkëmbin dhe atje nuk u kualifikuam. Sot shyqyr Zotit u kualifikuam.

Një pjesë të kundërshtarëve i njihja por megjithatë penalltia, është deri diku fat, është ndihmë e Zotit.

Çfarë i mungoi skuadrës… të them të drejtën vinim pas një humbje që psikologjikisht duam, s’duam, ndikon. Edhe pse kishim fituar ndeshjen e parë, u futëm në lojë të ruanim rezultatin e fitonim. Të gjithë e dinë që Tirana është ekip i madh, ka lojtarë cilësorë e normalisht të vë në vështirësi.

Kam kaluar 4-5 vite Tirana, është eksperienca më e rëndësishme e karrierës time, por jemi profesionistë. kur hyjmë në fushë harrojmë gjithçka. Po ju tregoj një sekret, kur kam qenë te Tirana, presidenti Halili na gjuante edhe penallti ndonjëherë. Siç vajti loja, vetëm presidentët mungonin të gjuanin penallti. Gjuante mirë, nuk i kapshim dot.

Kam 17 vite karrierë dhe është hera e parë që më ndodh që një ekip të jetë kaq korrekt, madje edhe para datës kemi marrë rrogat. Dua ta falënderoj publikisht presidentin dhe jam i bindur se do të ngrejë skuadrën aty ku e ka pasur emrin Dinamo.

Nuk ishim përgatitur fare për penalltitë se kishim besim se mund t’ia dilnim për 90 minuta. Por futbolli ka të papriturat e veta. Jemi të lumtur që kemi kaluar këtë tur të Kupës.

Sa i përket penaltisë, e kisha pak peng se e shkaktova unë. Fati më ndihmoi, portierin një fije e ndan nga heroi dhe dështimi. Sot më buzëqeshi fati mua dhe falënderoj Zotin.

Sa i përket pjesës që pësojmë shumë gola, jemi një ekip i ri, vetëm 3 muaj bashkë dhe duhet shumë punë që ekipi të arrijë ku duhet. Ne punojmë çdo ditë. Nuk mendoj se është faji i portierit kur pëson gol, është i gjithë skuadrës, si kur shënon është edhe meritë kur portieri nis lojën nga poshtë. Gjithsesi i dimë se ku janë gabimet e do të punojmë për tu përmirësuar.

Premio? Ne kemi diskutuar edhe me kapitenin dhe lojtarët me eksperiencë që në këtë ndeshje edhe nëse vinte nuk do pranonim premio se e kishim detyrim të kualifikoheshim pas asaj ndeshje që zhgënjyem në kampionat. Në çdo ndeshje kemi premio, edhe pse nuk kemi qenë shumë të zotë të marrim premiot”, tha Bakaj.

 PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"