Herald Marku, gati për debutimin me Kastriotin: Kthesën e bëjmë ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2018 | 16:28

Herald Marku, gati për debutimin me Kastriotin: Kthesën e bëjmë ndaj Laçit

Kastrioti mendon vetëm kthesën ndaj Laçit. Edhe pse përballë një kundërshtari të fortë, të besuarit e Elvis Plorit janë duke u përgatitur për të rigjetur pikët. Fakti që luajnë si pritës në FushëKrujë u jep “bonus” për t’u ndjerë superiorë.

Stafi teknik është i vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj përballjeje, megjithatë të gjithë besojnë se do t’ia dalin me sukses në këtë 90-minutësh. Skuadra kurbinase, ndryshe nga krutanët, ka bërë një start pozitiv në këto 4 javët e para të kampionatit, ku nuk regjistron asnjë humbje. Megjithatë, te Kastrioti do tentojë të jenë ata të parët që do t’i thyejnë bardhezinjtë.

herald marku

MARKU – Pas aventurës me Tërbunin në Kategorinë Superiore, Herald Marku u largua drejt Gjermanisë për të vazhduar karrierën në ligat e ulëta. Pas dy sezonesh atje, vendosi që të rikthehej në Shqipëri për të firmosur me Kastriotin. Në një prononcim për gazetën, mesfushori rrëfen se është përshtatur me lehtësi me grupin dhe nuk ngurron që të shpallë edhe objektivat e krutanëve.

“Kam ardhur në limitet e merkatos, por me ekipin jam adaptuar shumë shpejt, pasi me disa lojtarë që gjeta këtu, kisha luajtur edhe më parë. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më kanë ndihmuar të përshtatem shpejt. Kam gjetur ambient shumë miqësor dhe pozitiv, ku mbizotëron harmonia e grupit. Duke qenë se u afrova me vonesë, ende nuk kam pasur mundësinë të luaj në kampionat, por u aktivizova në Kupë. Superiorja është më e fortë, dhe besoj se Kastrioti do t’i përmbushë objektivat.

Kam besim se do rikthehemi te rezultatet e kërkuara duke filluar nga kjo javë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, ku duhet të tregojmë forcën tonë dhe kam besim në arritjen e një rezultati pozitiv. Sa i takon pyetjes suaj mbi zhvillimin e ndeshjeve në Fushë-Krujë, nuk mendoj së është ndierë shumë sepse edhe aty jemi si në shtëpi. Kemi pasur mbështetjen e tifozëve dhe uroj që edhe këtë javë të jenë sa më shumë të pranishëm për t’i dhënë zemër ekipit”, përfundoi Herald Marku.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"