Hera e parë si kapiten, Tonali flet për veprimin nga rivënia anësore: Pioli do të më vriste po të kisha respektuar pozicionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 16:55

Hera e parë si kapiten, Tonali flet për veprimin nga rivënia anësore: Pioli do të më vriste po të kisha respektuar pozicionin

Herën e fundit që Milani fitonte në kohën shtesë ishte me një gol të tijin, por Sandro Tonali suksesin ndaj Empolit do të kujtojë si herën e parë me shiritin në krah. Ky aspekt, por edhe shumë të tjerë, në intervistën që kapiteni kuqezi dha pas tri pikëve kundër Bajramit me shokë.

tonali

Çfarë ndeshjeje ishte?

Bëmë një paraqitje të madhe deri në momentin e golit. Pasi kaluam në avantazh e humbëm disi orientimin dhe Empolit i mjaftuan dy minuta për të na goditur. Sidoqoftë nuk u lënduam dhe ishte në ato momente që e kuptuam se duhet të fitonim.

Rivalët po ankohen për rivënien anësore…

Është diçka që vjen natyrshëm e nuk përgatitet. Trajneri më dha topin e unë as e vura re pozicionimin, sepse fundja arbitri do të më korrigjonte. U tregova disi dinak, por nëse do të diskutoja pozicionin atëherë trajneri do të më kishte vrarë. Fakti që shënuam dy gola në kohë shtesë na bën të kuptojmë edhe më shumë forcën tonë.

Për herë të parë edhe si kapiten. Çfarë ndiet?

Do të kisha dashur të mos e provoja sot sepse përfundoi tek unë pas dëmtimeve të Kalabrias dhe Kjaerit. Më vjen mirë që fituam, po me tre shokë të dëmtuar nuk e shijoj dot shiritin në krah.

Mendoni se duhet të shënoni më shpesh?

Është një statistikë, e cila përmirësohet vetëm duke luajtur. Me Benaserin merremi vesh mirë dhe mundohemi të bëjmë atë që na kërkon trajneri. Pesha e Kesit ishte specifike, por unë dhe Ismael jemi rritur. Nuk e kemi pasur të lehtë sepse kemi më shumë përgjegjësi, por së bashku mund të bëjmë edhe më shumë.

Ju keni pasur të njëjtat vështirësi që po has De Ketelare?

Nuk është e lehtë të përfundosh në një klub të madhe e të luash menjëherë në nivel maksimal. Jemi një skuadër e re dhe Sharli vjen nga një kampionat krejt tjetër. Ka nevojë për kohë dhe minuta, por nuk më duket se po luan keq.

Çfarë shtyse ju jep një fitore si ajo ndaj Empolit?

Është motivim i madh sepse e nisim javën në mënyrën më të mirë. Vinim nga një paraqitje e lartë si ajo ndaj Napolit, ku nuk fituam dot. Nuk mund të dështonim me Empolin dhe e bëmë duke fituar si një skuadër e madhe. Të gjithë shokët meritojnë përgëzime.

A mund të rritet ende ky Milan?

Kjo ndeshje ishte një nga ato të cilat deri dy vjet më parë nuk i fitonim dot. Në kohën shtesë ditëm të gjejmë motivime për të kthyer rezultatin në favorin tonë. Kemi gjithmonë dëshirë për të fituar dhe ky është një aspekt ku kemi bërë shumë përmirësime.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"