“Hejnkesi, profesori im”, Hansi Flik: S’e kuptoj pse Lahm nuk u bë yll futbolli, ja çfarë më ka thënë Arsen Venger

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2020 | 9:52

“Hejnkesi, profesori im”, Hansi Flik: S’e kuptoj pse Lahm nuk u bë yll futbolli, ja çfarë më ka thënë Arsen Venger

Në dhjetë muaj trajneri Hansi Flik realizoi “Tripletën” në stolin e Bajernit. Në fillim të mandatit të tij në detyrë në nëntor 2019, askush nuk do ta kishte besuar një arritje të tillë. Bavarezët ishin të pamotivuar, luanin të pasigurt e nuk kishin qasjen e zakonshme. Në fund të verës 2020, natyrisht, gjërat ndryshuan. Pasi Bajerni kurorëzoi sezonin me Ligën e Kampioneve, kampionatin dhe Kupën, Robert Levandovski u zgjodh “Futbollisti i Vitit”, ndërsa Flik “Trajneri i Vitit” nga revista “Kicker”. Në një intervistë për “TZ”, trajneri i Bajernit sheh pas në muajt e fundit dhe arsyet e suksesit të ekipit të tij i duken të qarta.
Flik
Pa asnjë drojë, pasardhësi i Niko Kovaçit tregon: “Jam ambicioz pozitiv, nga ata njerëz që dëshirojnë gjithmonë të përmirësohen. Kur erdha te Bajerni e dija se nuk do të ishte e lehtë, por besoj se të gjitha mendimet duhet të dëgjohen paraprakisht. Kam shumë gjëra të përbashkëta me Jup Hejnkesin. Ai ishte trajneri im, është gjithmonë bukur të flasësh me të për futbollin. E di që Jupi nuk dëshiron ta lexojë që flasim me njëri-tjetrin, por ai është thjesht një person i shkëlqyeshëm për mua dhe një ekspert po kaq i madh e me një përvojë mbresëlënëse në këtë profesion. Është një punë e madhe të jesh pasardhësi i tij”.
Lahm Bajern
THUMBIM LAHMIT – Për Hansi Flikun, futbolli ka edhe mister e një prej tyre lidhet me ish-kapitenin e Bajernit dhe të Gjermanisë, Filip Lahm. “Kurrë nuk e kuptova arsyen se përse një lojtar si Filip Lahmi nuk u bë kurrë një yll global. Po flasim për një kampion në fushë, i cili pas suksesit në Botërorin e 2014- ës kishte shansin të përmirësohej. Ishte një lojtar i kompletuar, që rrallë bënte një gabim në lojë dhe gjithmonë luante në nivelin e lartë, ashtu si Ksavi apo Iniesta”, shpjegoi trajneri bavarez në fjalën e tij.
venger
SHEMBULLI I VENGER – Flik nuk shqetësohet shumë për të ardhmen, por nuk ka as dëshirë të merret me të kaluarën. Gjithmonë në rolin e asistentit, ai pyetet se çfarë do të kishte bërë nëse do të kishte marrë më herët drejtimin e një klubi. “Jam ulur pranë shumë trajnerëve, për arsye pune, por edhe për të shkëmbyer ide. Dikur, Arsen Venger më tha: Lëre të kaluarën të pushojë, nxirreni vetëm nëse doni të bëni diçka më mirë në të tashmen ose në të ardhmen! Për mua kjo do të thotë që duhet reflektuar mbi përvojat në mënyrë që puna të bëhet më cilësore.

REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"