Hejnkes dhe Kovaç, trajnerët e Bajernit vihen përballë. Sa shumë diferenca mes strategëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2018 | 21:58

Hejnkes dhe Kovaç, trajnerët e Bajernit vihen përballë. Sa shumë diferenca mes strategëve

Në finalen e kupës nuk ndeshet vetëm Bajerni me Frankfurtin, por edhe Jup Hejnkes me Niko Kovaç. “Tz” bën një krahasim të tyre. Të shtunën, në Berlin do të jetë një duel i luftuar jo vetëm në fushë, por dhe në pankinë. Kovaç do të kërkojë të tregojë veten se është i denjë për sfida të rëndësishme, edhe pse aktualisht në drejtimin e skuadrës së Frankfurtit. Por, çfarë i bën kaq të ndryshëm trajnerët dhe ku dallojnë nga njëri-tjetri, do ta mësojmë më poshtë.

hejnkes kovac

FILOZOFIA PËR LOJËN – 73-vjeçari i Bajernit, pasi u rikthye te Bajerni, i besoi mesfushën Havi Martinezit, duke krijuar një modul ndryshe loje nga ç’ishim mësuar në kohën e Pep Guardiolës dhe Karlo Ançelotit. Don Jup i rreshtoi një skuadër me skemën (4-1-4-1) dhe (4-2-3- 1) duke i dhënë rëndësi lojës me pasa direkte, vrapimit dhe zotërimit të topit. Ndërkohë, Kovaç aplikoi një stil të ndryshëm te Frankfurti, duke aplikuar një të bazuar në kundërsulm. Pasi skuadra thyente aksionet e kundërshtarit, organizohej në mënyrë të shpejtë dhe sulmonte me shumë lojtarë. Kroati përdor skemën (3-1-4-2) duke kaluar edhe në (3-4-3) të pastër në takime të ndryshme. Kovaç ka preferuar të punojë në lojën e fortë më shumë se të fokusohej në zotërimin e topit.

STËRVITJA- Hejnkes i buti, Kovaç i forti? Pak a shumë. Por Jupi është ai që kërkon nga lojtarët në stërvitje disiplinë maksimale dhe rezultate. Por, ndërkohë Kovaç ka diçka më shumë, ajo është koha. Trajneri njihet për orët e gjata në stërvitje, rreth dy orë zgjasin seancat e tij. “E di që djemtë nuk e kanë të lehtë në stërvitje, por duhet të jemi gati për sfidat e mëdha”, u shpreh ai gjatë sezonit. Por, a do të kenë dëshirë lojtarë të mëdhenj si Riberi apo Levandovski për t’u stërvitur kaq intensivisht? Provat që mund ta bëjnë i ka dhënë Kevin Princ Boateng, ku deklaroi: “Na kanë frikë dhe na respektojnë sepse e kanë të vështirë të luajnë kundër nesh. Jemi si robotë që kërcejmë si pa pushim”, tha ai duke vlerësuar maksimalisht trajnerin Kovaç.

PERSONELI- Leon Goretcka dhe Serge Gnarbi janë prurjet e reja deri tani te Bajerni për sezonin e ardhshëm. Dhe sipas drejtuesve bavarezë Rumenige dhe Hënes, nuk përjashtohet edhe ardhja e ndonjë lojtari tjetër. “Nuk kemi marrë akoma vendime përfundimtare për merkaton, por me siguri do të vijnë lojtarë të tjerë”. E thënë troç, skuadrës së re të Kovaçit do t’i shtohen lojtarë të tjerë. Roben, Rafinja dhe Riberi rinovuan, Bernat mund të jetë lojtari i vetëm në largim, por nuk përjashtohet dhe një largim i mundshëm i Levandovskit, edhe pse do të pasohet nga një lojtar i të njëjtit nivel.

Kjo nuk do të jetë problem për trajnerin e ardhshëm të Bajernit që në Frankfurt punonte me 36 lojtarë të shumë nacionaliteteve të ndryshme. Për Hejnkes ishte më e lehtë kjo situatë, pasi vetë mosha dhe karriera e gjatë dhe e suksesshme impononte respekt te lojtarët dhe stafi. Ndaj, finalja të shtunën bëhet akoma dhe më interesante për dy protagonistët. Opinioni sportiv në Gjermani gjithashtu do të ndjekë me vëmendje dy skuadrat me mentalitet dhe histori të ndryshme nga njëra-tjetra. Bajerni është dukshëm favorit…në letër. Kampionët kërkojnë të bëjnë dopietë për t’i dhuruar një lamtumirë të paharrueshme trajnerit Hejnkes, i cili pas ndeshjes do t’i lërë vend trajnerit që për 90 minuta do të qëndrojë vetëm 10 metra larg.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"