Hebaj i prish planet Gegës, tani “bën presion” për një vend titullari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2018 | 9:50

Hebaj i prish planet Gegës, tani “bën presion” për një vend titullari

Partizani udhëton drejt Vlorës të premten, me synimin për të vijuar serinë e fitoreve dhe për të ruajtur kreun. Për momentin, dy janë dilemat kryesore në kampin e kuq përpara përballjes me Flamurtarin. E para ka të bëjë me aktivizimin e sulmuesit Rubin Hebaj, që është rikthyer në ekip pas një shpërthimi me Kombëtaren U-21.

hebajj

Ndërsa, e dyta dhe më e rëndësishmja është gjendja e portierit Alban Hoxha, i cili për shkak të problemeve në gjurin e djathtë humbi edhe grumbullimin e fundit me Kombëtaren. Forma e Hebajt me kuqezinjtë mund të prishë skemat e Partizanit, madje pas fitores së fundit, sulmuesi dha një mesazh “kërcënimi” për një vend titullari te të kuqtë.

Alban Hoxha

HEBAJ- 377 minuta të luajtura në 9 ndeshje me Partizanin në kampionat, ku pesë i ka nisur si titullar dhe 0 gola të shënuar. Ky është bilanci i sulmuesit shkodran me të kuqtë në 13 javët e para të Superiores. Por, në dy ndeshjet miqësore me Kombëtaren U-21 shkodrani shpërtheu dhe iu bashkua dje Partizanit me këtë bilanc pozitiv: 180 minuta lojë, 3 gola të shënuar dhe një penallti e fituar. Hebaj gjeti veten te kuqezinjtë dhe tani shpreson që të njëjtin fat të ketë edhe te Partizani, por kjo varet nga besimi që trajneri Gega do të ketë për sulmuesin.

Hebaj Shpresa

Trajneri i të kuqve e ndoqi sulmuesin 20-vjeçar nga afër në miqësoren e parë me Maltën, ku Hebaj shënoi dhe fitoi një penallti. Duket disi e çuditshme sesi sulmuesi mbetet në hije me të kuqtë, por me Shpresën pati një shpërthim.

Pjesë e analizës mund të jetë sistemi i lojës që praktikohet te “demat” dhe Shpresa, por edhe niveli i kundërshtarëve, me të cilët Hebaj përballet në kampionat dhe në dy miqësoret e fundit. Mbetet për të parë në këto dy ditë, nëse trajneri Gega do t’i besojë sërish formacionit fitues apo do ta nisë si në fillim të sezonit, ku Rubin Hebajt iu dha besimi nga minuta e parë.

KAPITENI- Alban Hoxha ka vijuar një terapi intensive që pas ndeshjes me Laçin, duke qenë larg terrenit stërvitor ku përgatitet çdo ditë ekipi. Për momentin ekziston dilema nëse kapiteni do të jetë gati për Flamurtarin, ndonëse që në fillim ka pasur garanci për rikthimin e tij në kohë.

alban hoxha

Kjo dilemë mund të zgjidhet sot, ku pas një kontrolli të imtësishëm do të vendoset për aktivizimin e portierit në Vlorë. Kapiteni ka sakrifikuar në këtë periudhë, madje ndaj Laçit “shtrëngoi dhëmbët”, duke duruar dhimbjet deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit të ndeshjes.

Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"