Hebaj: Partizani eksperienca më e bukur, me Teutën fitoj Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2020 | 18:49

Hebaj: Partizani eksperienca më e bukur, me Teutën fitoj Kupën

Rubin Hebaj, që nga merkatoja e dimrit, është pjesë e Teutës dhe shkodrani në javët e fundit po gjen formën e tij, pasi u rikthye në Kategorinë Superiore pas një periudhe të gjatë pa luajtur. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” pas fitores me ishskuadrën e Partizanit, Hebaj pohoi se Teuta mori një sukses me vlera në arritjen e objektivit europian.rubin hebaj

Shkodrani është i mendimit se Tuta e arrin objektivin si në kampionat dhe në Kupë, ku këtë të fundit kërkon ta fitojë si pjesë e skuadrës durrsake. Eksperiencën me Partizanin, Hebaj e vlerësoi si eksperiencën më të bukur në karrierën e tij, por ndonëse la të kuptohej se i vinte keq për transformimin që kanë pësuar kampionët, ai nuk pranoi që të shprehej publikisht, me pretekstin se nuk flet për ekipe që nuk bën pjesë.

Rubin, sa e rëndësishme ishte fitorja që Teuta mori në kryeqytet ndaj Partizanit?

Është një fitore shumë e rëndësishme për Teutën dhe ky trepikësh besoj se na ndihmon shumë që të jemi pranë skuadrave të vendeve të para, si dhe të luftojmë për objektivin që kemi si klub, Europën.

Në javët e fundit, kemi parë që po aktivizoheni, duket se po e gjeni veten te Teuta?

Ndihem shumë mirë te Teuta dhe po fitoj formën maksimale, pasi kisha kohë të gjatë pa luajtur. Ndihem mirë edhe me çunat dhe ekipin e stafin. Në javët e fundit po marr minuta dhe shpresoj që të filloj e të shënoj sërish në Superiore.

Në sezonin e shkuar, dolët kampion me Partizanin, si e shikoni transformimin që kanë pësuar të kuqtë në këtë edicion?

Nuk di çfarë të them për ekipin e Partizanit, sepse në fakt kanë bërë shumë ndryshime. Janë ndërruar shumë lojtarë dhe stafe drejtuese e teknike, ndaj realisht nuk di çfarë të them. Vjet kam pasur një eksperiencë pozitive, për të mos thënë eksperienca më e bukur deri tani në karrierën time. Nuk është se kam një karrierë të gjatë, për vetë moshën e re, por e kam shijuar shumë atë sezon titulli dhe vazhdoj ta kujtoj akoma.hebaj

Patët emocione ndaj Partizanit?

Ne jemi futbollistë profesionistë dhe bëjmë maksimumin për ekipin që luajmë.

Mendoni se me humbjen që i shkaktoi Teuta, Partizani i ka dhënë fund luftës për mbrojtjen e titullit?

12 pikë larg kreut janë shumë, por janë akoma shumë ndeshje për t’u luajtur. Asnjëherë nuk është e pamundur, përderisa matematika ia lejon. -12 pikë janë shumë, por asnjëherë nuk duhet thënë jo.

A ju dukej Partizani si kampion në përballjen që patët në fushë?

Nuk kam dëshirë të flas për ekipe të tjera ku nuk bëj pjesë. Kështu që më vjen mirë që fitoi Teuta në këtë takim, por me thënë të drejtën, jam pak i emocionuar kur më bëhen këto lloj pyetjesh.

Objektivin europian me Teutën nga ku synoni ta arrini, nga Kupa apo kampionati?

Shpresoj nga të dyja. Kështu që shpresoj që Teuta të fitojë Kupën këtë sezon, si dhe të qëndrojë në vendet e para në kampionat.

Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"