Hazard, “shuplakë” Mout dhe Kontes: Sarri trajneri më i mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 9:55

Hazard, “shuplakë” Mout dhe Kontes: Sarri trajneri më i mirë

Eden Hazard po shijon futbollin nën drejtimin e ri të Çelsit nga ana e Maurcio Sarrit dhe pas zërave për largim, tashmë belgu ndihet befas i lumtur në “Stamford Bridge”. Në një intervistë për televizionin e klubit, 27-vjeçari ka komentuar fillimin e sezonit për “blutë”, të cilët në fundjavë realizuan një tjetër fitore, atë 2-0 ndaj Bërnmëthit. Duke e nisur pikërisht nga takimi i së shtunës, sulmuesi sqaroi: “Më pëlqen të kem topin, jo vetëm në gjysmëfushën tonë, por në 30 metra të fundit. Ky është një stil loje që preferoj dhe që më shkon për shtat”.

hazard-470x315

Kur mendon se janë fjalët e zakonshme që një futbollist thotë përpara kamerave, belgu rimerr fjalën duke shtuar: “Po luajmë në një mënyrë krejt tjetër, tani ndihem më mirë. Më Antonio Konten dhe Zhoze Murinjon e zhvillonim ndryshe lojën. Po e zotërojmë më shumë topin dhe për mua nuk është aspak keq, pastaj të mos harrojmë cilësitë që i kanë sjellë skuadrës afrimet e Kovaçiçit dhe Zhorzhinjos. Ata janë dy lojtarë klasi”.

E ARDHMJA – Kontrata e Hazardit skadon në vitin 2020 dhe oferta e për rinovim nuk ka ardhur ende, por djaloshi nuk tregon shenja pakënaqësie. Hazard u aktivizua si zëvendësues në dy ndeshjet e para të sezonit, por ishte i dobishëm në fitoren ndaj Arsenalit, teksa golat e tij në dy takimet e fundit i kanë bërë “blutë” më krahë. I pyetur se si ndihet, Hazard tha: “Mirë, mund ta shihni edhe në fushë.

Hazard-Sarri-vs-Arsenal-Aug2018

Sa për kontratën e re, nuk i dihet, le të shohim në të ardhmen”. Belgu dukshëm ka rënë në dashuri me trajnerin Sarri, në kuptimin futbollistik të fjalës. Loja e ekipit londinez është entuziazmuese, teksa në Angli flasin për një risi në kampionat. Edhe Hazard është i këtij mendimi, teksa duke folur për teknikun italian shtoi:

“Ne vetëm përpiqemi të mbajmë topin më shumë dhe pastaj kur kemi një shans për të shënuar, thjesht duhet të shënojmë. Sidoqoftë, mendoj se kur e kemi nën zotërim topin, mund të jemi më të rrezikshëm. Besoj se edhe ky aspekt është i dukshëm, pasi jemi duke ofruar një futboll të mirë, që nuk gëzon vetëm tifozët, por edhe ne si skuadër. Shpresoj shumë që të vijojmë me këtë vrull”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"