Haxhiu tregon tmerrin: Ja si na goditën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2016 | 11:23

Haxhiu tregon tmerrin: Ja si na goditën

Trajneri i Luftëtarit, Gerd Haxhiu, ende nuk e beson atë që ka ndodhur në ndeshjen ndaj Pogradecit, ku skuadra e tij mori me meritë një barazim.gerd Haxhiu “Do të preferoja të na jepnin dorën”, ka thënë tekniku në një intervistë për “Panorama Sport”, ndërkohë që nuk kupton arsyen e dhunës ndaj lojtarëve të tij.

Normalisht që pritej të ishte një ndeshje e rivalizuar, por pse duhej të kishte aq shumë tension në fushë, por 10 minutat e fundit, edhe pse kishte ndërhyrje të rënda, gjyqtari  nuk akordoi pothuajse asnjë goditje dënimi.

Është konstatim i saktë ky që bëni ju, megjithatë unë e kam thënë që nuk dua të merrem me gjyqtarët dhe do t’i qëndroj këtij vendimi. Sa i takon ndeshjes, ajo ishte shumë e luftuar, pasi është fundi i sezonit dhe barazimi na jepte qetësi, por shtonte tensionin te kundërshtari. Gjithsesi ne u munduam ta menaxhojmë ndeshjen dhe ia arritëm të merrnim një pikë. Nëse gjatë 90 minutave kishte tension, që mund të justifikohet në fund, në fund gjërat dolën jashtë kontrollit.

Mihani përplaset fizikisht me lojtarët tuaj, ndërsa në fotot që disponojmë shihet edhe Rrapa i gjakosur. Çfarë ndodhi?

Kam preferuar gjithmonë të merrem me pjesën sportive gjatë këtyre tetë javëve që jam në krye të Luftëtarit dhe nuk jam bërë pjesë e asnjë problematike, që edhe ju i keni bërë publike. Në fund vura re se Mihani, një djalë model në jetën e përditshme, kishte dalë jashtë kontrollit. Kam punuar me të kur drejtoja Besën dhe dje i kam folur, por e pashë shumë të revoltuar. Nuk pata kohë të bëja asgjë, pasi po vinte turma tjetër për të na goditur dhe u largova. Gjithsesi, ato janë skena të turpshme që ndodhin në futboll. Do të preferoja që të na jepnin dorën dhe të na përshëndesnin si kryesuesit e grupit të jugut.

Por turpi mbetet për ta. Si është gjendja e lojtarëve?

Gjatë gjithë kohës kemi pasur mbështetjen e donatorit Tavo, i cili ka pasur edhe komunikime me spitale të ndryshme, sepse lojtari Rrapa ka pasur probleme në kokë për shkak të goditjeve. Ai ka shfaqur shenja marrje mendsh dhe do të dërgohet në një nga spitalet më të afërta për të bërë një skaner, pasi nuk ishte në një gjendje të mirë.

Patët më probleme, pasi u futët në dhomat e zhveshjes?

Në dhoma kemi qenë sërish të rrezikuar, pasi xhamat e dritareve janë thyer nga ana e tifozërisë. Kemi dalë nga qyteti në shoqërimin e forcave të shumta të policisë dhe nuk kemi pasur probleme.

Pavarësisht këtyre që ndodhën, jeni me një “këmbë” në Superiore…

Fillimisht do të presim vendimin e Komisionit të Disiplinës, pasi shpresojmë që këtë ndeshje ta fitojmë në tavolinë, për shkak të dhunës që është ushtruar. Por, edhe nëse kjo nuk ndodh, kemi bindjen e plotë se në ndeshjen e fundit do të festojmë ngjitjen në Superiore së bashku me tifozët tanë.

Përgatiti: ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"