Haxhiu, trajneri i ri i Luftëtarit: Ja pse pranova të drejtoj gjirokastritët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2016 | 16:47

Haxhiu, trajneri i ri i Luftëtarit: Ja pse pranova të drejtoj gjirokastritët

Gerd Haxhiu rikthe het në fushën e blertë. gerd HaxhiuTrajneri dhe opinionisti i njohur në vendin tonë ka vendosur të “veshë tutat” dhe të ulet në stolin e Luftëtarit, që është pjesë e Kategorisë së Parë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Haxhiu flet për këtë rikthim pas shumë vitesh në krye të një ekipi. “Shkëputja ime nga drejtimi i një skuadre ka qenë për shkak të punës sime në një tjetër profil. Megjithatë, kam qenë gjithmonë nën kontakt me futbollin nëpërmjet rolit të opinionistit në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH.

Gjatë kësaj periudhe kam pasur kontakte dhe oferta nga disa ekipe si në Superiore edhe në Kategorinë e Parë, por megjithatë projekti dhe siguria që më ofruan drejtuesit e Luftëtarit më bindën që të jem pjesë e skuadrës. E them me bindje se gjëja kryesore në një skuadër futbolli janë financat. Kisha dëgjuar se te Luftëtari ato ishin të sigurta, por pas bisedës që pata edhe me donatorin Tavo u binda për një gjë të tillë”, u shpreh Haxhiu, i cili ka treguar edhe marrëveshjen me drejtuesit.

“Ne kemi një projekt edhe për sezonin e ardhshëm. Kontrata ime është gjashtëmujore dhe, pas ngjitjes së ekipit në Superiore, do të ulem sërish me drejtuesit për të biseduar në terma financiarë për të vazhduar punën edhe për sezonin e ardhshëm”, sqaroi tekniku.

Objektivi

Deri më tani Luftëtari është treguar një skuadër kompetitive në Kategorinë e Parë. Bluzinjtë kryesojnë Grupin B dhe objektivi kryesor është ngjitja në Superiore.

“Gara është shumë e fortë, pasi kemi dy skuadra mjaft të mira në ndjekje siç është Pogradeci dhe Apolonia. Megjithatë, ne jemi dy pikë përpara dhe ky është një avantazh për skuadrën time.

Por, nuk duhet të harrojmë se në Kategorinë e Parë ka shumë fusha të vështira në aspektin e gjendjes së terreneve flas gjithmonë. Megjithatë, ne do të japim maksimumin dhe besoj se do të arrijmë në Superiore”, vazhdoi Haxhiu, i cili kujton edhe një episod interesant.

“Eksperiencën time të parë në një staf teknik e kam pasur te skuadra e Flamurtarit, ku isha ndihmësi i babait tim. Më pas, ekipi ku debutova si trajner i parë në karrierë ishte Apolonia, që luante po në Kategorinë e Parë. Atë vit kam arritur ta ngjis skuadrën në Superiore dhe shpresoj të ruaj traditën edhe me Luftëtarin këtë sezon”, deklaroi tekniku vlonjat.

Lojtarët

Te Luftëtari, Haxhiu do të ketë një grup pothuajse të plotë lojtarësh. “Një pjesë të tyre, vlonjatët, i kam trajnuar te ekipet e moshave dhe i njoh mjaft mirë. Ndërsa pjesën tjetër të lojtarëve i njoh dhe janë mjaft cilësorë”, ka mbyllur Haxhiu.

Përgatiti: TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"